Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Gabriel Escobar, Zëvendësndihmës Sekretarin e Shtetit dhe Përfaqësues Special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor.

 

Temë diskutimi ishte invazioni i Rusisë mbi Ukrainën, me ç’rast Ministri Osmani riafirmoi pozicionin e shtetitpër dënim të ashpër të intervenimit ishtarak, duke bërë thirrje kështu për ndërprerjen e veprimeve ushtarake dhe tërheqjen e trupave ushtarake ruse.

 

Osmani e rikonfirmoi mbështetjen për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës, ndërsa gjatë bisedës përshëndetën ndihmën ushtarake dhe humanitare të ofruar nga të dyja palët si një shprehje solidariteti dhe mbështetjeje për popullin ukrainas.

 

Gjatë bisedës, u përshëndet dënimi nga mbarë bota për invazionin ushtarak, me çka u vërejt se mungon reagimi adekuat nga ana e RP Kinës me gjykim të qartë për agresionin rus. Në këtë drejtim, u theksua nevoja për thirrje të përbashkët globale ndaj Rusisë për ndërprerjen e aktiviteteve ushtarake, që paraqesin rrezik për sigurinë e Evropës dhe botës në përgjithësi.

 

Ministri Osmani falënderoi palën amerikane për mbështetjen e vazhdueshme për qëllimet strategjike të Maqedonisë së Veriut, si dhe kontributin e përgjithshëm në stabilitetin dhe zhvillimin demokratik të Ballkanit Perëndimor.  E theksoi nevojën për një prani më të fortë të SHBA-së në rajonin tonë si një garanci e fuqishme për siguri rajonale dhe evropiane.

 

Bashkëbiseduesit përshëndetën marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Maqedonisë së Veriut të bazuara në partneritet strategjik dhe miqësi tradicionale, si dhe shprehën gatishmërinë e ndërsjellë për avancimin e mëtejshëm të tyre në periudhën e ardhshme.