Borxhet e institucioneve shtetërore po rriten, po ashtu dhe të një pjese të komunave, ndërmarrjeve publike, ministrive, institucioneve shëndetësore, shkollave – në fund të gjysmës së parë të vitit borxhet arritën në 332 milionë euro. Në tremujorin e dytë, në krahasim me të parin, komunat arritën ta zvogëlojnë një pjesë të borxhit, por ka një rritje të borxheve në shëndetësi, të ndërmarrjeve publike dhe të kompanive shtetërore, të një pjese të madhe të shfrytëzuesve të buxhetit, gjykatave, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.
Në “listën e borxhlinjve” 1,180 borxhlinj – për vetëm tre muaj rritje e borxheve për 20 milion euro
Borxhet shtetërore u rritën edhe në tremujorin e dytë të këtij viti – ka një rritje edhe në krahasim me tremujorin e parë, por gjithashtu edhe në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Lista e re e “borxhlinjve” të Ministrisë së Financave përfshin 1,180 institucione nga shëndetësia, arsimi, kultura, ndërmarrjet publike në nivel qendror dhe lokal, organet rregullatore, agjencitë, qendrat e mbrojtjes sociale, të cilat kanë raportuar miliona borxhe të prapambetura, por të papaguara.
Të dhënat tregojnë se borxhi i përgjithshëm i të gjitha subjekteve që konsiderohen “shtetërore”, në nivel qendror dhe lokal, është 332 milionë euro. Krahasuar me tremujorin e parë të këtij viti, ai është rritur për 20 milionë euro, dhe krahasuar me periudhën e njëjtët të vitit të kaluar, për 51,5 milionë euro.
Vihet re se komunat dhe ndërmarrjet publike komunale në baza tremujore arritën ta zvogëlojnë borxhin në krahasim me tremujorin e parë, por ky grup ende renditet i lartë sipas shumës së borxheve, mbi 61 milionë euro.
Cilat gjykata, agjenci, inspektorate, spitale kanë më shumë borxhe…
Një numër i madh i shkollave, agjencive, ndërmarrjeve publike, pothuajse të gjitha komunat, spitalet, ministritë janë në listën e re të borxhlinjve – me borxhe të prapambetura, por të papaguara.
Portalb.mk bëri një analizë të borxheve sipas llojit të institucioneve. Ndër agjencitë shtetërore me vlera më të mëdha të borxhit janë Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë me pothuajse 95,000 euro, Agjencia për Rini dhe Sport me një borxh prej pothuajse 50,000 euro, e poashtu edhe Agjencia e Barnave ka borxh përafërsisht të njëjtë. Borxhe të prapambetura dhe të papaguara më të larta se 50,000 euro ka raportuar edhe Inspektorati Sanitar dhe Shëndetësor Shtetëror.
Lista e borxhlinjve i përfshin edhe burgjet – me borxhe më të mëdha janë INK “Idrizova” me 388,000 euro dhe INK burgu Shkup -Shuto Orizare me 686,000 euro.
Ministritë gjithashtu kanë borxhe të prapambetura, dhe të papaguara, kurse borxhe më të mëdha kanë Ministria e Kulturës, Ministria e Transportit, Ministria e Punëve të Jashtme.
Borxhe milionëshe të prapambetura dhe të papaguara kanë raportuar edhe spitalet, gjegjësisht institucionet shëndetësore publike nga pothuajse i gjithë vendi. Lista i përfshin edhe qendrat klinike, institutet mjekësore, por edhe qendrat shëndetësore nga rreth njëzet qytete – nga Ohri, Tetova, Shtipi, Velesi, Vallandova, Shkupi, Kumanova.
Mbi çfarë baze janë borxhet, sa borxhe kanë komunat, ndërmarrjet publike, arsimi, do të analizojmë në Analizën e radhës të Portalb.mk.
Comments are closed for this post.