Qeveria rivale në lindje të Libisë, ka dhënë dorëheqje të hënën, pas protestave që janë nxitur nga kushtet e jetesës dhe korrupsioni në këtë shtet.
Përgjatë fundjavës, protestuesit në Bengazi kanë hapur zjarr në selinë e qeverisë.
Ata po ashtu janë përleshur për herë të parë edhe me forcat e sigurisë në zonën e gjeneralit, Khalifa Haftar.
Misioni i Kombeve të Bashkuara në Libi ka shprehur “shqetësim të thellë” për raportimet se një civil është vrarë.
Agjencia e lajmeve AFP ka raportuar se zyrtarët kanë hapur zjarr edhe ndaj protestuesve, dhe për pasojë pesë prej tyre janë plagosur.
Një zëdhënës i gjeneralit Haftar ka thënë se administrata përkrah protesta paqësore mirëpo nuk do të lejojë “që terroristët dhe Vëllazëria Myslimane”, t’i pushtojnë ata.
Libia është shkatërruar nga dhuna, prej kur ish-udhëheqësi Muammar Gaddafi është rrëzuar nga pushteti më 2011 nga forcat e përkrahura nga NATO-ja.
Deri më tani, protestuesit kundër situatës në Libi janë fokusuar kryesisht në kryeqytetin Tripoli, atje ku vepron Qeveria e Akordit Kombëtar, e njohur edhe nga Kombet e Bashkuara.
Forcat e gjeneralit Haftar patën nisur një ofensivë për të pushtuar Tripolin në prill të vitit 2019, mirëpo mbështetja ushtarake nga Turqia u ka ndihmuar forcave qeveritare që të kthejnë mbrapsht forcat e gjeneralit Haftar, që mbështeten nga Rusia.
Një armëpushim në mes të qeverive paralele të Libisë është bërë i ditur muajin e kaluar.
Gjenerali Haftar mbështetet edhe nga Emiratet e Bashkuara Arabe, derisa Qeveria e Akordit Kombëtar gëzon mbështetjen e Turqisë, Katarit dhe Italisë.
Libia ka rezervat më të mëdha të naftës dhe gazit në Afrikë.
Prej muajit janar, një grup i armatosur, besnik ndaj gjeneralit Haftar, ka bllokuar zonat e naftës, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike.
Kjo gjendje i ka kushtuar Libisë miliarda dollarë.
Comments are closed for this post.