Shkëmbimi tregtar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Ukrainës vitin e kaluar është rritur dukshëm, ndërsa pritjet janë se edhe këtë vit do të ketë bilanc të ngjashëm tregtar, kanë vlerësuar në takimin e sotëm zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi dhe ambasadorja ukrainase Natalia Zadorozhnjuk.
Të dy bashkëbiseduesit ishin pajtuar se të dyja vendet kanë marrëdhënie jashtëzakonisht miqësore, ndërsa i lidhin edhe përcaktimet e përbashkëta strategjike në lidhje me realizimet e integrimeve euroatlantike.
Në takim, siç bëri të ditur Kabineti i zëvendëskryeministrit, është folur edhe për potencialin për zhvillim të shkëmbimit tregtar të prodhimtarisë bujqësore, ndërtimtarisë, projektet për përmirësim të mjedisit jetësor, por edhe për rritje të vëllimit të shkëmbimit tregtar për produkte me vlerë më të lartë të shtuar, veçanërisht në industrinë automobilistike.
“Me Qeverinë e re vjen edhe impuls i ri pozitiv për bashkëpunim me vendet partnere”,ka theksuar Bytyqi, duke shtuar se ka shumë sektorë në të cilët mund të zhvillohet bashkëpunimi ekonomik ndërmjet dy vendeve.
Bashkëbiseduesit janë pajtuar që të vazhdojnë me komunikim intensiv, ndërsa të gjitha temat e rëndësishme në lidhje me ekonominë të diskutohen në hollësi në mbledhjet e Komisionit të Përzier Ndërqeveritar dhe Komitetit të Përzier për Zbatimin e Marrëveshjes për Tregti të Lirë, prej ku do të dilnin edhe propozime konkrete për avancimin e bashkëpunimit të ndërsjellë ekonomik.
Comments are closed for this post.