Udhëheqësi i Kuvendit Talat Xhaferi pritet që sot të konvokojë vazhdimin e seancës konstituive në të cilën duhet të zgjidhet kryetar i shtëpisë ligjdhënëse.
Sipas marrëveshjes mes LSDM-së dhe BDI-së për koalicionin qeveritar dhe për shumicën parlamentare, kryetar i përbërjes së re të Kuvendit do të jetë Talat Xhaferi i cili edhe deri tani ishte në këtë funksion.
Zgjedhjen e Xhaferit për sot e paralajmëroi kreu i BDI-së, Ali Ahmeti pas mbledhjes së mbrëmshme të Këshillit qendror të partisë, në të cilën u konfirmua marrëveshja e koalicionit me LSDM-në dhe u njoftuan emrat e kandidatëve për ministra në qeverinë e re.
Pritet propozimi për zgjedhjen e Xhaferit spiker i kuvendit të dorëzohet në Parlament me nënshkrimin e 20 deputetëve.
Kryetari i Kuvendit zgjidhet me të paktën 61 vota nga numri i përgjithshëm i deputetëve.
Me zgjedhjen e spikerit të Kuvendit, për herë të parë duhet të konfirmohet shumica e re parlamentare, të cilën e përbëjnë 62 deputetë – 46 të LSDM-së dhe Koalicionit “Mundemi”, 15 të BDI-së dhe një PDSH-së.
Pas zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit në ditët në vijim duhet të caktohet seancë për zgjedhjen e Qeverisë së re të cilën do ta udhëheqë lideri i LSDM-së Zoran Zaev.
Comments are closed for this post.