Çdo e treta grua në botë ka provuar ndonjë formë të dhunës, ndërsa sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, dhuna familjare është vrasësi numër një i grave. Në vend se gruaja të jetë dhe të ndjehet e sigurt në shtëpi, ndonjëherë rreziku më i madh për të vjen mu nga atje. Në vendin tonë, vetëm në 9 muajt e parë të këtij viti, janë paraqitur 709 vepra penale nga sfera e dhunës familjare, prej të cilave, 610 ishin viktima. Dhuna familjare dhe dhuna ndaj grave në mënyrë joproporcionale më shumë i godet gratë, mu për shkak se janë gra, informojnë nga Komiteti i Helsinkit i Republikës së Maqedonisë.

Në kumtesën me rastin e Ditës ndërkombëtare të eliminimit të dhunës ndaj grave, nga Komiteti i Helsinkit potencojnë se hulumtimi i OSBE-së tregon se “vetëm dy për qind e grave të cilat kanë përjetuar dhunë nga partneri i tanishëm, e kanë paraqitur në polici, si dhe se kjo flet se numri i grave të cilat pësojnë dhunë është shumë më i lartë se statistikat zyrtare.

Nga Komiteti i Helsinkit e përshëndesin iniciativën për përgatitje të Ligjit të ri kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës familjare, i cili i ndjekë dispozitat e Konventës së Stambollit, ndërkaq është përgatitur në proces të konsultimit me sektorin qytetar.

Dhuna ndaj grave dhe dhuna familjare, potencojnë, e kufizon gruan të marrë pjesë në jetën ekonomike dhe shoqërore, shkakton depresion, ndjenjë të pafuqisë, ndërkaq është edhe shkelje e rëndë e të drejtave të saja themelore. Prandaj, të gjithë duhet të veprojmë së bashku në mënyrë që të çrrënjoset kjo dukuri destruktive në shoqërinë tonë.