Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, mbajti një takim me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor, ku u shpreh mbështetje për vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, transmeton REL.
Shërbimi për Punë të Jashtme i BE-së njoftoi të hënën se takimi u zhvillua në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
“Në takim u shpreh mbështetje për vazhdimin e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës dhe për arritjen e shpejtë të një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve”, thuhet në komunikatë.
Në takim morën pjesë: presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, si dhe zyrtarë nga Shqipëria dhe Bosnje e Hercegovina.
Bëhet e ditur se palët shprehën mbështetje edhe për hapjen e negociatave të anëtarësimit midis Shqipërisë dhe BE-së dhe Maqedonisë së Veriut dhe BE-së.
Pjesëmarrësit në takim po ashtu shprehën solidaritet me Shqipërinë, e cila u godit nga disa tërmete në fundjavë.
Comments are closed for this post.