Komisioni Evropian ka paralajmëruar Malin e Zi se rrezikon të marrë fonde nga Plani i Rritjes nëse nuk tërheq vendimet për ndryshimet në regjimin e vizave për vendet e treta deri në fund të këtij muaji.

Duke pasur parasysh numrin në rritje të vendeve që nuk janë në përputhje me regjimin e vizave të BE-së, dhe për të përmbushur hapat e Agjendës së Reformës, Mali i Zi duhet të heqë dy vende nga regjimi i tij pa viza deri në fund të shkurtit 2025.

Ky reagim vjen pasi Mali i Zi shtoi një vend të ri, Bahreinin, në regjimin e tij pa viza dhe ndryshoi regjimin pa viza të Arabisë Saudite nga sezonal në të përhershëm.

Lidhur me këtë reagim të Komisionit Evropian Qeveria e Malit të Zi tha se “në rrethanat aktuale globale, qasja në tregje të reja dhe ardhja e lehtësuar e turistëve dhe investitorëve janë çelësi për qëndrueshmërinë e turizmit malazez. Janë pikërisht interesat e qarta ekonomike ato që janë arsyeja kryesore pse Mali i Zi vendosi një regjim pa viza me një numër të caktuar vendesh”.

“Në bashkëpunim me BE-në do të vazhdojmë të kërkojmë zgjidhjet më të mira, të cilat do të kënaqin njëkohësisht interesat tona kombëtare ekonomike dhe detyrimet që kemi në procesin e anëtarësimit në BE”, theksohet në reagimin e qeverisë malazeze.

Këto veprime opozita malazeze i sheh si kërcënim për të ardhmen evropiane të Malit të zi dhe akuzoi partitë në pushtet për shkatërrimin e institucioneve shtetërore të Malit të Zi.

“Prej vitit 2020 partitë në pushtetin e Malit të Zi po bëjnë garë se kush më shumë po i shkatërrojë institucionet dhe sistemin e sigurisë për të parandaluar integrimin evropian të vendit”, tha kryetari i Partisë Demokratike Socialiste në opozitë, Danijel Zhivkoviç.