Nga Gjykata Speciale e Hagës kanë thënë se Hysni Gucati, kryetari i OVL UÇK-së, është arrestuar sot nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në bazë të një fletarrestimi dhe urdhri për transferim, të lëshuara nga një gjykatës i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës.
“Sipas Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, policia në kuadrin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar ka autoritetin dhe përgjegjësinë që të ushtrojë kompetencat që i janë dhënë policë së Kosovës sipas ligjeve të Kosovës”.
“Në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar gjithashtu përcaktohet se personi kundër të cilit Dhomat e Specializuara kanë lëshuar fletarrestim, merret në ndalim”.
“Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dha mbështetje operative dhe logjistike për ZPS-në, në pajtim me mandatin e vet dhe me legjislacionin e Kosovës. Edhe Policia e Kosovës (PK) dha mbështetje operative për ZPS-në”.
“Informacion i mëtejshëm do të jepet në kohën e duhur”, thuhet në njoftimin e Speciales.
Ndryshe, Gjykata e Kosovës e përbërë nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Specializuar e Prokurorisë në Hagë, është formuar me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare dhe financohet kryesisht nga Bashkimi Evropian.
Gjykata është themeluar me vendimin e Kuvendit të Kosovës pas raportit të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, në të cilin senatori zviceran, Dick Marty, flet për krimet e pretenduara “të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë“, që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.
Comments are closed for this post.