Sipas të dhënave të fundit nga platforma “IQ Air”, Shkupi sot renditet i 23-ti për nga ndotja e ajrit në nivel botëror.

Ndërsa në Evropë, kryeqyteti i Maqedonisë është i treti më i ndoturi, menjëherë pas Sarajevës, e cila është në vendin e 11-të dhe pas Prishtinës, e cila renditet në vendin e 20-të.

Niveli i grimcave PM të dëmshme të matura në orën 11:30 të mëngjesit të sotëm është 121 njësi, për këtë arsye nuk rekomandohet dalja për të sëmurët kronikë dhe fëmijët.

Shkupi dy ditë më parë ishte qyteti më i ndotur në botë, kur sipas platformës IQ Air, në kryeqytet janë vërejtur 263 njësi të grimcave të dëmshme.

Zëvendësministrja e Ambientit Ane Lashkoska tha dje se masat afatshkurta dhe afatgjata nga Qeveria janë në fuqi dhe apeloi deri te komunat dhe të gjitha institucionet kompetente që të përfshihen në aktivitetet për trajtimin e ndotjes së ajrit. Ajo gjithashtu kërkoi që pushteti vendor të dërgojë inspektorë komunalë në terren, veçanërisht në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, dhe jo vetëm në ato që kanë licencë A dhe B të integruar. /