Të paktën 149 palestinezë të tjerë janë vrarë dhe 300 janë plagosur gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa Izraeli po e vazhdon ofensivën vdekjeprurëse në Rripin e rrethuar të Gazës, njoftoi Ministria e Shëndetësisë e enklavës.
“Forcat okupuese izraelite kryen 13 masakra kundër familjeve në Rripin e Gazës, duke lënë 149 dëshmorë dhe 300 të plagosur gjatë 24 orëve të fundit”, thuhet në një deklaratë të ministrisë.
“Shumë njerëz janë ende të bllokuar nën rrënoja dhe në rrugë pasi shpëtimtarët nuk janë në gjendje të arrijnë tek ata”, shtoi Ministria.
Duke shpërfillur vendimin e përkohshëm të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND), Izraeli i ka vazhduar sulmet e tij në Rripin e Gazës, ku të paktën 31.490 palestinezë janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe 73.439 janë plagosur që nga 7 tetori, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.
Izraeli e ka sulmuar Rripin e Gazës që nga një sulm ndërkufitar i Hamasit, në të cilin Tel Avivi thotë se janë vrarë afro 1.200 njerëz.
Lufta izraelite në Gaza ka shtyrë 85 për qind të popullsisë së territorit në zhvendosje të brendshme, krahas mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve ndërsa 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar, sipas OKB-së.
Izraeli akuzohet për gjenocid në GjND. Një vendim i përkohshëm në janar urdhëroi Tel Avivin të ndalonte aktet gjenocidale dhe të merrte masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.
Comments are closed for this post.