Jam i bindur se nëse procesi i negociatave me BE-në nuk bazohet kryesisht në histori, nëse bazohet në kritere dhe vlera reale evropiane, ne do t’i përfundojmë ato negociata në një kohë rekord, tha presidenti Stevo Pendarovski në përgjigje të pyetjes së një gazetari në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun e tij gjerman Frank-Valter Shtajnmaer në Shkup.

“Ju siguroj, sepse e di nivelin e gatishmërisë së vendit tim për integrim evropian – ne jemi duke u përgatitur për këto negociata 17 vjet, kjo është periudha më e gjatë e përgatitjeve të çdo vendi në historinë e BE-së”, vlerësoi Pendarovski. Ne jemi kandidati më i përgatitur për anëtarësim në historinë e BE-së. Ekipet për secilin kapitull janë bërë para një dekade e gjysmë”, tha Pendarovski.

Në pyetjen e një gazetari se sipas anketave të fundit mbështetja për anëtarësim në BE është në rënie, Pendarovski vlerësoi se përshtypja e tij është se argumenti kryesor për rënien e euroentuziazmit në BE është në anën e Brukselit.

“Është e vërtetë që sondazhet e 18 muajve të fundit si në vendin tonë ashtu edhe në rajonin tonë tregojnë një rënie të mbështetjes për BE-në. Nuk do të doja të përjashtoja të gjithë ne që jemi liderë politikë lokal dhe rajonal, sigurisht që kemi edhe një pjesë të përgjegjësisë këtu. Megjithatë, përshtypja ime, analiza ime mbështetet në faktin se arsyeja kryesore, argumenti kryesor për këtë rënie të entuziazmit për ta quajtur mbështetje për anëtarësimin në BE është në anën e Brukselit sepse në të kaluarën tre-katër, pesë ose më shumë vite objektivisht nuk shohim se procesi i integrimeve evropiane po ecën përpara”, theksoi Pendarovski.

Ai kujtoi se Serbia dhe Mali i Zi, të cilët kanë negociuar për një dekadë, nuk po bëjnë përparim në integrimet evropiane, ndërsa, sipas tij, BeH-ja dhe Kosova ishin krejtësisht të harruara në procesin e integrimit evropian deri vonë kur Bosnja mori rekomandimin për statusin e kandidatit.

“Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria ishin efektivisht të bllokuara nga Bullgaria deri pak muaj më parë. Pra, ju nuk mund t’u shpjegoni qytetarëve maqedonas pse BE-ja po e shtyn fillimin e negociatave për 17 vjet për arsye të ndryshme. Nëse në ato negociata që do të fillonin, ne nuk jemi të mirë, nuk jemi efektivë, atëherë do të mund ta gjejmë përgjegjësinë kryesisht në anën tonë. Mirëpo, më duket se nëse hapet dera, dhe në të vërtetë nëse hapet gjerësisht për të gjithë rajonin në integrimet evropiane, do të shihni rezultate shumë më të mira në mbështetjen e qytetarëve tanë për procesin integrues”, vlerësoi Pendarovski në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun e tij gjerman Shtajnmajer.