Nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikoloski, në një koment të shkurtër për “Focus” sonte deklaroi se qëndrimin e partisë sot e ka paraqitur qartë lideri i partisë Hristijan Mickoski. Sipas tij, hapi tjetër pas mbledhjes së sotme të kryesisë është që LSDM të përgjigjet nëse e pranon ofertën e tyre apo jo.
Ne ofruam një opsion fitues për Maqedoninë, i cili përfshin integrimin në BE dhe ruajtjen e identitetit. Natyrisht, për Kovaçevskin është më e rëndësishme që BDI të mos jetë opozitë sesa Maqedonia të ecë përpara. Tani i takon LSDM-së që t’i përgjigjet ofertës sonë, e pranon apo jo, thotë Nikoloski.
Mickoski sot pas takimit të lidershipit me Kovaçevskin ka thënë se kryeministri ka ofruar që të fillojë diskutimi në Kuvend dhe është rënë dakord për nevojën e ndryshimit të Kushtetutës dhe më pas formimin e Qeverisë në të cilën nga 10 portofolet që ka LSDM, 5 duhet të jetë VMRO-DPMNE. Pastaj duhet të përfundojnë ndryshimet kushtetuese dhe të fillojë procesi i negociatave dhe më pas të bëhen zgjedhjet.
Qëndrimi i VMRO-DPMNE-së është se janë të gatshëm të hyjnë në Qeveri me LSDM-në dhe partitë tjera, por pa pjesëmarrjen e BDI-së. Përveç këtij kushti, të cilin BDI-ja e pranoi shprehimisht, Mickoski kërkon që ndryshimet kushtetuese të hyjnë në fuqi nga dita kur fillon ratifikimi i protokollit për anëtarësim të Maqedonisë në BE nga parlamentet e 27 vendeve anëtare. Kusht i VMRO-DPMNE-së është edhe që BE-ja të miratojë një Deklaratë me të cilën do të theksohet se e njeh identitetin, gjuhën, kulturën, zakonet dhe traditat e veçanta maqedonase.
Comments are closed for this post.