Kryetari i sapozgjedhur i Parlamentit Evropian, David Sasoli të hënën dhe të martën do të qëndrojë në Maqedoninë e Veriut, që do të jetë vizita e parë zyrtare e tij në ndonjë vend jashtë BE-së pas marrjes së detyrës gjatë kësaj vere.

Ai vjen me porosi për vendin, por edhe Shqipërinë se duhet të qëndrojnë në rrugën evropiane edhe krahas pengesave të cilat u paraqitën në Samitin e fundit të liderëve të BE-së.

“Vizita në Maqedoninë Veriore, dhe menjëherë pastaj në Shqipëri, ka rëndësi të madhe për mua personalisht në këtë moment. E dimë se popujt e të dy vendeve janë shumë të zhgënjyer nga paaftësia e Këshillit (KE) të arrihet dakordim për fillimin e negociatave inkuadruese për shkak vetos së disa vendeve anëtare. Ne e kuptojnë dhe e ndajmë këtë zhgënjim”, thotë Sasoli në prag të vizitës së tij.

Parlamenti Evropian menjëherë pas Samtit të BE-së, në të cilin nuk u soll vendim për fillimin e negociatave me Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë, miratoi rezolutë të re me të cilën ” e dënoi paaftësinë e Këshillit Evropian ta plotësojë premtimin”.

Sasoli përkujton se kjo rezolutë u votua me shumicë dhe pohon se Parlamenti Evropian nuk do të hesht dhe do të kërkojë vendim pozitiv nga vendet anëtare në takimin e ardhshëm.

“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i përmbushën reformat të cilat i kemi kërkuar prej tyre dhe tani meritojnë të shpërblehen për përpjekjet e tyre të jashtëzakonshme. Dua të dërgojë thirrje te qytetarët, posaçërisht gjeneratat e reja: mos humbni shpresën, ju lutem qëndroni në rrugën evropiane. Parlamenti Evropian është me ju”, thotë Sasoli në kumtesën në të cilën paralajmëron vizitën e tij në rajon.

Kryetari i ri i Parlamentit Evropian dëshiron t’i inkurajojë të dy vendet të vazhdojnë me reformat dhe beson se “edhe krahas shtyrjes, nuk do të humbet kohë”

Sipas paralajmërimeve, Sasoli në Shkup do të takohet me presidentin Stevo Pendarovski, me kryeministrin Zoran Zaev, si dhe me kryetarin e Parlamentit Talat Xhaferin, ndërsa do të bisedojë edhe liderët e partive politike të përfaqësuara në Kuvend.

Në fillim të dhjetorit, Sasoli, do ta vizitojë edhe Tiranën.