Barazia gjinore dhe fuqizimi ekonomik i grave janë një nga parakushtet kryesore për zhvillim të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës të shoqërisë dhe ekonomisë së Maqedonisë së Veriut. Fuqizimi ekonomik i gruas është në të njëjtën kohë tregues i shkallës së demokratizimit të shoqërisë, por edhe udhërrëfyes drejt zhvillimit më të drejtë ekonomik në të cilin do të ketë vend për të gjithë, porositi sot bashkëshortja e presidentit, Elizabeta Gjorgievska.

Sipas Gjorgievskës, fuqizimi ekonomik i gruas është fuqizim i shoqërisë në tërësi dhe paraqet investim në të ardhmen dhe garanci për prosperitetin e shtetit.

“Përvojat nga krizat e mëdha ekonomike të shekullit të 20-të tregojnë se më shpesh të parat që goditen janë gratë. Por, atje, ato shtete ku gratë kanë luftuar për vendin e tyre, ka një rikuperim shumë më të shpejtë në shtet. Shtetet me ekuilibër më të madh gjinor shumë më shpejt, shumë më lehtë i kapërcejnë krizat ekonomike. Dhe kompanitë ku në krye, në këshillat drejtues kanë gra, janë shpesh më të suksesshme. Pse? Për shkak të profilit të ndryshëm të lidershipit, i cili në fakt paraqet një kombinim të ambicies dhe ndjeshmërisë, një sinergji ndërmjet kapaciteteve emocionale dhe institucionale”, tha Gjorgievska në fjalimin e saj në tryezën e rrumbullakët “Ndërmarrësia e grave në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe roli i saj në sistemin tatimor të organizuar nga Drejtoria për të Ardhura Publike.

Sipas Gjorgievskës, përveç dhunës së hapur shumë më shumë përballemi edhe me dhunë të fshehtë.

Ndryshe, ngjarja po mbahet në kuadër të shënimit të Ditës së Tatimpaguesve – 29 Nëntori dhe këtë vit i kushtohet rolit të ndërmarrësisë së grave në sistemin tatimor.