Bashkimi Demokratik për Integrim para një numri të madh të qytetarëve të Strugës, ka elaboruar rendësinë e zgjedhjes së presidentit konsensual pasi vetëm vota e dhënë ndaj tij siguron që vendi do të vazhdoj të përmbush proceset e nisura që nga fillimi të kësaj Qeveria, siç është aderimi në NATO dhe hapja e bisedimeve këtë vit me Bashkimin Evropian.
“Maqedonia, unë ju siguroj, po të punojmë me përkushtim pas 5 viteve do të jetë anëtare fuqiplotë në Bashkimin Evropian. Duhet gjithashtu të përmbushim standardet të cilat do të jenë në dobi të vetë neve në radhë të parë, të sundoj ligji, të kemi arsim cilësor, të luftohet krimi dhe korrupsioni e kështu me rradhë. Ne jemi ata që fitojmë më së shumti pasi këto vlera i ka Bashkimi Evropian, ne duhet ti ndërtojmë këtu ne duhet ti instalojmë këtu. Kjo do të ndodh, pasi kemi patur edhe skeptik se nuk bëhet ky vend anëtar i NATO-s, por 11 vende tashmë e kanë ratifikuar marrëveshjen dhe deri në fund të vitit vendi Republika e Maqedonisë së Veriut do të jetë anëtare e 30-të e NATO-s,” u shpreh kryetari i BDI-së, Ahmeti.
Ai më tej shtoi se për këtë kandidat konsensual janë dakorduar katër parti politike shqiptare dhe 27 parti tjera pasi besojnë se do ti shërbej ardhmërisë së vendit.
“Askush nuk e ka me tapi, nesër mund të jetë edhe një shqiptar president apo kryeministër. Ashtu siç nuk u paramendua më herët që një kryetar Parlamenti, një ministër i Brendshëm, Mbrojtjes, Avokat Shteti, drejtues të ndryshëm në polici, në sigurimin shtetëror të jenë shqiptar, prandaj me mirëkuptim dhe bashkëpunim arrihet gjithçka. Do të duhet të komunikoni me të gjithë pasi dihet që vota për kandidaten tjetër znj. Siljanovska Maqedoninë e kthen pas, pasi rrezikohet Marrëveshja e Prespës dhe me këtë mos njohja e kësaj marrëveshje shkon në dëm të vendit. Me 21 prill të gjithë së bashku vendosim për alternativën e vetme për NATO dhe BE. Me 21 prill nuk votohet vetëm për z. Pendarovski por votohet ardhmëria e këtij vendi,” u shpreh lideri i BDI-së Ahmeti.
Të pranishmëve në Strugë iu drejtua edhe Shefi I Shtabit Izet Mexhiti, kryetari i Komunës së Strugës Ramiz Merko dhe funksionarë tjerë partiak.
Comments are closed for this post.