Europa ka rritur sigurinë rreth ambienteve që përcjellin atmosferën festive të Krishtlindjeve pas dyshimeve të një kërcënimi terrorist të shtuar të ekstremizmit islamik.

Policia e Këlnit, duke vepruar sipas udhëzimeve për një sulm të mundshëm, kontrolloi katedralen historike të Gjermanisë të shtunën dhe tha se njerëzit që merrnin pjesë në meshën e Krishtlindjeve do t’i nënshtroheshin kontrollit të sigurisë përpara se të lejoheshin të hynin.

Në Austri, policia në Vjenë tha gjithashtu se po merrte masa të forta sigurie rreth kishave dhe tregjeve të Krishtlindjeve, duke vendosur oficerë dhe efektivë me rroba civile.

Asnjë agjenci e policisë nuk e specifikoi kërcënimin, por agjencia gjermane e lajmeve dpa tha se autoritetet po i përgjigjeshin shenjave të një sulmi të mundshëm nga ekstremistët islamikë, pa përmendur një burim specifik.

Michael Esser, kreu i departamentit të hetimit penal të policisë së Këlnit, tha në një njoftim për shtyp se dyshohet se sulmet mund të ndodhin edhe natën e ndërrimit të viteve.

Katedralja e Këlnit, kunjat binjake të së cilës janë 157 metra të larta, është një destinacion kryesor turistik i vizituar nga rreth 6 milionë njerëz në vit.

Policia dhe zyrtarët e katedrales u kërkuan atyre që merrnin pjesë në meshën të dielën në mbrëmje që të mbërrinin herët dhe të mos merrnin çanta.