Vendosmëri për të shkuar deri në fund për Marrëveshjen e Prespës shprehu kryeministri grek Aleksis Cipars, duke porositur se njëjtë si fqinjët që nuk hoqën dorë, ashtu edhe Greqia nuk do të heq dorë.
Duke folur në konferencën dedikuar Marrëveshjes së Prespës, vetëm disa orë pas largimit të Panos Kamenos nga Qeveria e koalicionit dhe dy ditë pas ndryshimeve të votuara kushtetuese tek ne, Cipras i uroi kolegut të tij të Maqedonisë Zoran Zaev dhe tha se me marrëveshjen, Greqia është liruar nga logjika e nacionalizmit dhe kuazipatriotizmi për një çështje aq kritike, dhe “gjithashtu është bërë edhe nga ana tjetër e kufirit”, njofton korrespondentja e Mia-s nga Athina.
“Të njëjtën e arriti edhe Zoran Zaev me Qeverinë e tij, duke e vulosur tërë tentimin me revizionin e guximshëm kushtetues përmes të cilit sigurohet jetëgjatësia e kësaj marrëveshje. Më lejoni t’i uroj që këtu, sepse është hera e parë që flas pas përfundimit pozitiv të procesit në Shkup. Më lejoni t’i uroj kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, për guximin që e tregoi që nga fillimi e deri në fund të këtij procesi. T’i uroj sepse nuk hoqi dorë para protestave nacionaliste të urrejtjes të cilat atje i organizonte VMRO-ja, partneri i Demokracisë së Re në Partinë Popullore Evropiane, që investoi në dhunën dhe në provokimin e anomalisë politike duke tentuar ta anulojë këtë tentim historik”, tha kryeministri grek.
Aleksis Cipras e shfrytëzoi rastin për të dhënë mesazhe deri tek grekët se nuk do të heq dorë.
“Dua të transmetoj edhe një mesazh deri tek qytetarët grekë dhe veçanërisht deri tek çdo qytetar që mendon lirshëm, pavarësisht bindjeve të tija politike. Siç atje nuk hoqën dorë, as ne nuk do të heqim dorë. Edhe këtë e them sepse me plane të ngjashme për destabilizim politik jemi përballur dhe përballemi edhe këtu, në vendin tonë edhe atë që nga momenti i parë”, porositi Cipras, duke i përmendur problemet me të cilat duhej të përballej Greqia, si gjuha e urrejtjes, keqpërdorimi i nxënësve, por edhe rasti i fundit me publikimin e të dhënave të rreme të deputetëve të cilët e mbështesin Marrëveshjen e Prespës.
Kryeministri grek tha se marrëveshja është historike, e dobishme në mënyrë kombëtare dhe patriotike.
Në konferencën dedikuar Marrëveshjes së Prespës, që u mbajt në sallën e koncerteve në Athinë, ishin të pranishëm pothuajse të gjithë ministrat nga radhët e SYRIZA-s, deputeti nga Grekët e pavarur, Tanasis Papahrisopulos, ndërsa në njërin prej paneleve foli edhe deputeti i Potamit, Spiros Danelis i cili në mënyrë të hapur e mbështet Marrëveshjen e Prespës.
Comments are closed for this post.