Autoritetet në Britani të Madhe kanë vendosur të mos kërkojnë pasaportën e vaksinimit kundër koronavirusit për hyrje në klube të natës dhe organizime tjera me shumë njerëz, duke kthyer kështu mbrapsht politikën e mëparshme, ndonëse ka pasur kundërshtime nga disa ligjvënës.
Sekretari britanik për Shëndetësi, Sajid Javid ka thënë se Qeveria e ka vënë në dollap për disa kohë kërkesën për pasaportë, mirëpo ka thënë se do ta rikonsiderojë atë nëse rritet shumë numri i të infektuarve me koronavirus.
Dëshmitë për vaksinim janë duke u kërkuar në disa vende evropiane, përfshirë Francën dhe Italinë.
Ata që kanë dëshmi vaksinimi mund të kenë qasje në një mori organizimesh si dhe në biznese siç janë restorantet.
“Ne kemi bërë analiza dhe ndonëse duhet të ekzistojë si mundësi potenciale, e them me gëzim se nuk do të çojmë përpara planet për pasaportë të vaksinës”, ka thënë Javid për transmetuesin britanik, BBC.
Ky vendim në Britani është marrë ndërkohë që Afrika e Jugut planifikon të prezantojë pasaportën e vaksinës, ndonëse raportohet për hezitim të madh për imuinizim në këtë vend.
Në një adresim televiziv para kombit, presidenti Cyril Ramaphosa, ka thënë më 12 shtator se, popullsia e imunizuar është kyçe për rihapje të ekonomisë dhe shmangie të një vale të katërt të infektimeve.
Ai ka thënë se brenda dy javësh, Qeveria do të ofrojë më shumë informacione për qasje ndaj “pasaportës së vaksinës”.
Sipas tij, një ulje e qëndrueshme e numrit të të infektuarve së fundmi, do të mundësojë lehtësim të masave kufizuese nga 13 shtatori.
Comments are closed for this post.