Nxënësit e shkollave fillore dhe fëmijët e moshës parashkollore prej ditës së hënë do të kenë mundësi të ndjekin përmbajtje edukative në tre kanalet e servisit nacional televiziv RTVM, të nxjerra nga programet mësimore sipas të cilave ata aktualisht edukohen në shkolla dhe kopshte, e të cilat përkohësisht janë të mbyllura me vendim të Qeverisë – si pjesë e masave për mbrojtjen e shëndetit publik për shkak të rrezikut për përhapjen e koronavirusit.
Kjo zgjidhje, që buroi nga takimi i sotëm në MASH, ku morën pjesë përfaqësues të disa institucioneve në fushën e arsimit, UNICEF, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe përfaqësues të udhëheqësisë së Radio Televizionit të Maqedonisë, dhe që u organizua në pajtim me konkluzionin e Qeverisë për të gjetur një mënyrë alternative të edukimit të fëmijëve, duhet të vazhdojë edhe në periudhën në vijim derisa procesi formal edukativo-arsimor është pezulluar përkohësisht.
Duke filluar nga dita e hënë në tre kanalet e RTVM-së në orare të përshtatshme, brenda ditës, për të cilat opinioni do të informohet në një afat sa më të shkurtër, mësues nga shkollat fillore do të zhvillojnë orë të shkurtuara mësimore në të gjitha gjuhët që organizohet mësimdhënia në shkollat e vendit.
Ky edukim joformal, i ashtuquajtur TV-klasa, do të realizohet deri në hapjen e sërishme të shkollave dhe kopshteve dhe funksionimit normal të procesit formal edukativo-arsimor të nxënësve dhe fëmijëve të moshës parashkollore. Një grup i posaçëm i punës është i ngarkuar me këtë nismë dhe tashmë është duke e hartuar planin për fillim të suksesshëm dhe rrjedhën e zbatimit të kësaj nisme.
Comments are closed for this post.