Kreu i Kuvendit Talat Xhaferi ka deklaruar se në momentin që do të ketë propozim konkret sa i përket Ligjit për Prokurorinë Publike, të njëjtin do ta procedoj në procedurë parlamentare.

“Ligji për Prokurorinë Publike tashmë është në rend dite që vitin e kaluar, në seancën 108. Për atë propozim kishte disa amendamente, diku 60, disa prej të cilëve janë pranuar. Ka paralajmërimi se do të ketë propozim të ri.

Kuvendi nuk punon sipas paralajmërimeve. Punon nga parashtrimi i propozimit konkret. Kur të kem propozim të ri do ta procedoj. Në procedurë të rregullt nuk mund të arrihet të miratohet tekst i ri. Me procedurë të shkurtuar po. Nëse pajtohen të gjitha partitë për tekstin e propozimit të ri, në kontekst të procedurës ajo mund të përfundojë të miratohet edhe brenda një dite”, deklaroi Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.

Ndërkohë sa i përket Ligjit të mbrojtjes Xhaferi tha se nuk paraqet kusht për anëtarësimin e vendit në NATO.

“Në asnjë periudhë të procedurave të anëtarësimit asnjë nuk na e ka vënë si kusht. Është e pëlqyeshme që të sillet sepse kompetencat për vendimet i kalojnë Qeverisë sa i takon shpejtësisë për miratimin e vendimeve. Por të mos i japim vetes kushte shtesë sepse ky ligj nuk është kusht shtese për anëtarësim të plotë në NATO”, tha Xhaferi.