Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, i shoqëruar nga ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, ministri për Sistem Politik, Sadulla Duraku, dhe nga drejtori i “Rrugëve të Maqedonisë”, Bekim Memeti, e kanë shënuar fillimin e punimeve në rrugën e re që lidh Komunën e Dollnenit me Komunën e Çashkës, përkatësisht fshatrat Crnilishtë me Jabollçishtë.

Kjo rrugë ishte edhe kërkesë e banorëve të Dollnenit dhe Çashkës, pasi e njëjta rrugë lidh pothuajse të gjitha fshatrat shqiptarë të Prilepit dhe Velesit, ndërsa shkurton dukshëm rrugën drejt Shkupit, transmeton koha.mk.

Vlen të theksohet se e gjithë rruga po ndërtohet nëpërmes maleve të Velesit dhe Prilepit, ndërsa lidh dhe ofron fshatrat shqiptarë të tre komunave. Memeti me këtë rast është shprehur se viti 2019 do të jetë një vit ku do të investohet në rrugë dhe shpreson se shumë rrugë të anës së Manastrit dhe qyteteve do të asfaltohen për të mirën e gjithë qytetarëve.