“Mbesin edhe disa muaj deri në qershor kur Këshilli i Evropës duhet të sjellë vendim për fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Në këtë periudhë vendi duhet të përqendrohet në qëllimet reformuese dhe në unitetin kombëtar. Nuk ka kohë për të humbur. Është lajm i mirë që edhe Qeveria dhe opozita pajtohen se eurointegrimi duhet të shënojë progres”.
Këtë e theksoi eurodeputeti Tunne Kelam i cili e kryeson delegacionin shtatë anëtarësh të Parlamentit Evropian për vizitë në vendin tonë me qëllim vlerësimin për reformat dhe gatishmërinë për fillimin e bisedimeve për anëtarësim.
“Maqedonia e Veriut dhe qytetarët tuaj e meritojnë fillimin e bisedimeve me BE-në. Tashmë keni arritur shumë që t’i filloni bisedimet. Edhe pse në këtë fazë nuk është e qartë se a do të ketë vendim njëzëri të Këshillit të Evropës, ne po punojmë për këtë. Detyra e juaj është që ta përforconi unitetin kombëtar, t’i vazhdoni reformat. Tani nuk është koha që t’i festoni sukseset të cilat realisht janë arritur, por të përqendroheni në aktivitetet të cilat janë me rëndësi thelbësore për vendin tuaj. Neve na nevojitet Maqedonia e Veriut si anëtare e BE-së”, porositi Kelam, i cili është kryetar i Komitetit për Punë të Jashtme pranë Parlamentit Evropian.
Ai theksoi se vizita është në kohën e cila është me rëndësi kritike për Maqedoninë e Veriut, por se po largohen nga vendi me ndjenjën e shpresës, duke i pasur parasysh ndryshimet gjatë një viti e gjysmë siç është praktikisht anëtarësimi në NATO dhe fakti që vendet fqinje ishin të parat të cilat e ratifikuan Protokollin për hyrje në Aleancë.
Si shumë të rëndësishme i theksoi edhe zgjedhjet e ardhshme presidenciale.
“Nëse zgjedhjet mbahen në klimën e pajtimit kombëtar, në mënyrë të drejtë dhe transparente, ky do të jetë argument shtesë që të jepet mbështetje për Maqedoninë”, tha eurodeputeti Kelam.
Delegacioni shtatë anëtarësh i PE-së gjatë qëndrimit dyditor në vend kishte takime në Qeveri, Kuvend, me opozitën, si dhe me sektorin qytetar. Delegacioni e vizitoi edhe stacionin filtrues në Kërçovë të ndërtuar me para të fondeve të BE-së.
Comments are closed for this post.