Me 9 vota “për” dhe 1 “abstenim”, Këshilli i Komunës së Koçanit zgjodhi sot pasdite këshilltarin e pavarur Venko Krstevski për ushtrues detyre kryetar i komunës, pas dorëheqjes së kryetarit të mëparshëm Ljupço Papazov, i cili është një nga të dyshuarit për zjarrin në diskotekën e improvizuar “Pulse” ku humbën jetën 61 persona dhe rreth 200 u lënduan.

Në garë për ushtrues detyre kryetar, përveç Krstevskit, i cili u vetëkandidua, ishte edhe koordinatori i grupit këshillues të VMRO-DPMNE-së, Goce Markov.

Të dy kandidatët dhanë shpjegime të shkurtra para këshilltarëve për kandidaturat e tyre, si dhe u bënë një sërë diskreditimesh dhe ofendimesh personale për dhe mes kandidatëve të propozuar në seancë.

Pas zgjedhjeve, Krstevski tha se është koha për bashkim dhe punë. Ai shtoi se fokusi i punës së tij do të jetë tek të rinjtë.

“Fokusi im do të jetë te të rinjtë sepse të rinjtë janë forca lëvizëse që duhet ta ndërtojnë qytetin tonë. Ne po ecim përpara, me punë të ndershme dhe efikase, që Koçanin ta bëjmë një vend më të bukur dhe më human për të jetuar për të tejkaluar këtë apati në të cilën ndodhet qyteti”, tha Krstevski.

Para votimit, këshilltarja e VMRO-DPMNE-së, Kristina Atanasova-Arsova, me lot në sy dha dorëheqjen nga posti i këshilltares dhe zgjedhjen e një ushtruesi të ri të detyrës kryetar e konsideroi të padenjë dhe poshtërues.

Ajo tha se nuk do të mbështeste asnjërin nga kandidatët, ndërsa kërkoi falje nga qytetarët që e votuan në zgjedhjet lokale, pasi siç tha ajo nuk ka arritur të zbatojë shumë gjëra që “nuk kanë qenë prioritet për kryetarin dhe kryesinë”.

Djali i Atanasova-Arsovës është një nga të rinjtë e plagosur nga zjarri në diskotekën Puls.

“Nga ky moment dhe në periudhën e ardhshme do t’i përkushtohem djalit tim që është ende në spital nga aksidenti dhe të gjithë atyre fëmijëve që duhet të kthehen. Periudha do të jetë shumë e gjatë dhe shumë kërkuese. Unë do të luftoj për ta dhe nuk do të harroj kurrë se të gjitha idealet në këtë botë nuk janë aq të vlefshme sa lotët e një fëmije”, tha Atanasova-Arsova në fund të fjalës së saj.

Krstevski mori mbështetje nga grupi i këshilltarëve të LSDM-së dhe koalicioni, ndërsa këshilltari i vetëm nga radhët e Levicës abstenoi nga votimi për të dy kandidatët.

U.d kryetar i Koçanit u zgjodh me dy raunde, pasi asnjë kandidat nuk mori shumicën e nevojshme prej 10 votash në raundin e parë.

Kryetari i Komunës së Koçanit, Ljupço Papazov dha dorëheqje të parevokueshme një ditë pas tragjedisë në Koçan, përkatësisht më 17 mars. Ai gjatë ditës së tragjedisë ishte i pakapshëm, ndërsa në konferencë për media refuzonte të përgjigjej nëse do të japë dorëheqje nga pozita.