Në intervistën për MIA-n pas takimeve në Bruksel, kryeministri Zoran Zaev shprehet se po bëhet çmos që procesi zgjedhor i radhës të jetë pa kurrfarë mangësish.
Sinjalet nga Franca deri tani janë ende negative në raport me hapjen e bisedimeve me BE-në. A keni ndonjë strategji për të parandaluar bllokadë të re dhe të përballeni me të?
“Strategjia që e kemi është shumë e qartë dhe evidente, e kjo është që të mos i lemë asnjë minimum argument cilitdo vend, duke përfshirë edhe vendin që e përmendni, i cili, jo për shkakun tonë, por për shkak të debateve të brendshme, është i rezervuar për zgjerimin e BE-së. Ne mendojmë që të arrijmë sukses me të gjitha reformat deri në fund, rezultatet dhe implementimi do të jenë evident në këtë shtet. Është me rëndësi që zgjedhjet presidenciale të jenë tërësisht të pastra, ky është prioriteti i parë për Qeverinë time, për partinë time politike, besoj se për të gjithë në vendin tonë. Kështu që, pa argumente, pas vendimeve të këtilla serioze politike që u miratuan, që më në fund pas 14 vitesh të hapim kapituj, të fillojmë bisedime me BE-në, të gatshëm madje edhe emrin e shtetit ta ndërrojmë, besoj se asnjë vend nuk mund të mbetet indiferent pa marrë vendim pozitiv.
Njëri prej argumenteve që do të mund ta shfrytëzojnë kundërshtarët e hapjes së bisedimeve është problemi me PSP-në, deri ku jeni dhe a jeni të gatshëm të lëshoni pe para disa kërkesave të opozitës?
“Unë jam njeri fleksibël i cili e di se të dyja palët duhet të kenë mirëkuptim për njëra tjetrën, por kjo të mos jetë në dëm të shtetit, të institucioneve të sistemit. Jam i gatshëm të bisedoj me opozitën për çdo çështje të argumentuar. Më vjen mirë që filluan bisedimet, e di se deri në fund të kësaj jave do të ketë materiale konkrete me shkrim rreth disa propozimeve, besoj se është e mundshme të miratojmë Ligj për Prokurori Publike, ku është e përfshirë PSP-ja si kapacitet i krijuar. Edhe një herë rikujtoj, kjo prokurori publike tashmë, siç është e vendosur edhe në Ligjin e ri, do ta ndjekë pushtetin, pushtetin aktual. Kjo Prokurori Publike është kapacitet drejt të cilit synojnë edhe prokuroritë e tjera, edhe në aspektin material edhe në atë financiar edhe me pajisje. T’i japim shans një ligji të tillë dhe të gjithë jemi këtu në shtet me besim ndaj institucioneve, të vazhdojmë t’i ndërtojmë reformat.
A jeni të gatshëm ta ndërroni Katica Janevën?
“Absolutisht jo. Kjo është për mua çështje institucionale, për arsye se me të vërtetë Katica Janeva dhe ekipi i saj i prokurorëve, hetuesve dhe të gjithëve që punojnë ishin në një kohë shumë të vështirë grimca e shpresës për kthimin e shtetit ligjor, i cili ja filloi të kthehet në vendin tonë. Unë jam i bindur se nuk guxojmë të dërgojmë porosi të këqija deri te ata që kanë mbijetuar, kanë treguar guxim, duke besuar tek shteti, tek sistemi, tek Kushtetuta dhe ligjet, në kohë të vështirë. Duhet t’i mbështesim kapacitetet e tyre. Unë i dëgjoj edhe kritikat e opozitës dhe jo se nuk kam mirëkuptim për to, por përparësitë e institucionit të krijuar në këtë mënyrë, me këta njerëz është me të vërtetë përparësi e madhe për Maqedoninë e Veriut.
Edhe Hani edhe Mogerini paralajmëruan se zgjedhjet presidenciale duhet doemos të jetë të pastra si kristali për të pasur bisedime, përmendet se ekziston rreziku për bojkotim nga opozita në rrethin e dytë, si do të garantoni se ky proces do të kalojë pa kurrfarë problemi?
Transparenca është instrumenti ynë serioz në 21 muajt e fundit, kjo është përparësi e madhe e kësaj Qeverie, përmes transparencës garantohen të gjitha proceset, duke përfshirë edhe këtë. Me shefin e opozitës, z. Mickoskin, kishim një bisedë cilësore në këtë temë dhe besoj se të gjitha çështjet, për të cilat ata kanë mendime i mbyllëm dhe lamë derë të hapur mes shefave të shtabeve të dy kandidatëve të jenë në komunikim të vazhdueshëm, ata janë gjithashtu dy sekretarët tanë të përgjithshëm. Të gjithë me zgjuarsi mbrojnë njëri-tjetrin, për shkak se përmes kësaj do ta mbrojmë shtetin. Ai beson se do të fitojë në zgjedhje, unë besoj se do të fitoj në zgjedhje. Të dy kemi motivim të fuqishëm së pari t’i garantojmë ato fitore tona të projektuara të jenë të pastra si kristali. Në fund të fundit, nëse jo për diçka tjetër, për shkak të shtetit. Unë besoj se si njerëz demokratë, para së gjithash së pari si bartës i përgjegjshëm i pushtetit ekzekutiv do t’i siguroj të gjitha kushtet e domosdoshme që opozita të ndjehet komode, të ketë garë korrekte, kjo është esenca e sigurimit të zgjedhjeve korrekte dhe demokratike për zgjedhje.
Në rregull për raundin e parë, por, çfarë nëse sërish akuzoheni se ka pasur nga një votim në sekondë, etj. dhe për shkak të kësaj opozita vendosë që të bojkotojë raundin e dytë?
“Nuk besoj se do të ndodhë kjo për arsye të thjeshtë se besoj se nuk do të ketë asnjë argument në botë që dikush ta thotë këtë. Vallë gjithë këtë që e bëjmë do ta rrënojmë me çfarëdo vënie në pikëpyetje të rregullsisë së zgjedhjeve? Nuk ka diçka më të shenjtë për ne: kjo është çelja e bisedimeve me BE-në. Dy qëllimet tona strategjike: NATO dhe BE-ja janë diçka prapa të cilës qëndrojmë të gjithë. Nëse qëndrojmë vërtetë atëherë edhe duhet të punojmë. Në aspektin politik kalkulimet tona duhet doemos të jenë dytësore, shteti është para të gjithave dhe mbi të gjitha dhe duhet doemos të bëjmë punën deri në fund për vendin tonë.
Nëse nuk marrim bisedime në qershor, sa është rreziku që Maqedonia të kthehet mbrapa në raport me proceset demokratike dhe evropiane?
“As që dua të mendoj për këtë. Por një gjë e di, nuk ka rrezik. Maqedonia është e qëndrueshme, e sigurt, Maqedonia është anëtare e ardhshme e NATO-s, Maqedonia është shembull i mirë, jo vetëm për rajonin, por edhe për BE-në dhe besoj se do të ishte paaftësi nga ana jonë nëse lejojmë që shteti të na kthehet sërish në të kaluarën. Ne kemi një kërcim kuantativ, duhet ta shfrytëzojmë dhe të vazhdojmë në këtë drejtim, pa marrë parasysh se kush do të jetë në krye të Qeverisë, kush do të ketë shumicën në Parlament, për shkak se ky është vendi ynë, vend tjetër, popull tjetër nuk kemi dhe besoj se të gjithë do ta bëjmë punën, të gjithë me përgjegjësitë e tyre, por njëherësh këto përgjegjësi janë ende më të siguruara nëse kujdesemi për njëri-tjetrin, për ardhmërinë e shtetit.
A keni koment për alarmin që u aktivizua rreth përdorimit ose jo të fjalës “gjuhë maqedonase” te popullata në Greqinë e Veriut? Kishte shumë reagime të vrullshme, cili është sqarimi juaj?
“Marrëveshja është e qartë. Dhe nëse e ndjekim frymën e miqësisë shumë lehtë do të sqarohemi. Së pari është fakt se gjuha jonë është gjuha maqedonase, kjo është pranuar në marrëveshjen. Njëherësh është fakt se është nga grupi i gjuhëve sllave. Fakt, i konfirmuar shkencor. Gjithashtu është gjuhë e të gjithë qytetarëve që jetojnë në Maqedoninë e Veriut dhe në diasporë. Por, kjo është e ndryshme nga trashëgimia kulturore helene, me traditat e tyre. Kjo është e përkufizuar. Edhe në frymën e fqinjësisë së mirë, dhe ndërtimit të miqësisë, duhet të kemi mirëkuptim për çështjet e këtilla. Pikërisht këtë edhe ministri Dimitrov e sqaron, dhe në fund thashë – çështjet e identitetit janë personale, diçka që e bartim në gjoks, këtë nuk mund ta ndryshojë askush.
A është problem të thuhet se atje flitet maqedonisht?
“Kjo është e drejtë e Greqisë, këtë duhet ata ta komentojnë. Me pakujdesinë tonë do të mund të shkaktojmë situata të palakmueshme për shkak se kemi marrëveshje të qartë dhe të saktë, që ne politikanët duhet të besojmë në të dhe ta implementojmë me kujdes, e më pas edhe qytetarët e të dy vendeve, kështu që e lë këtë ta komentojë Greqia, ata kanë mënyrën e tyre të shtrirjes së gjërave, ne i respektojmë, ata janë partneri ynë strategjik.
A ka skenar maqedonas në Serbi, siç akuzoi Vuçiqi?
“Absolutisht jo. Serbia është miku ynë i madh, popujt i kemi të afërt, ne i dëshirojmë vetëm mirë Serbisë, të ecë përpara, momentalisht japim mbështetje për zgjidhje pozitive, ashtu siç do të merren vesh ata, zgjidhje që do të garantojë përparim të rajonit, integrim në BE, ruajtje të paqes. E di, bisedova para disa muajve, e di sa është vështirë. Absolutisht po tentojmë ta kuptojmë këtë dhe e mbështesim procesin. Shpresojmë se do t’i kthehen dialogut. Kjo është pritja jonë dhe shpresoj se do të ketë dialog të brendshëm në të gjitha vendet fqinje. Ja ne kemi në Maqedoninë e Veriut. Por, njëherësh si njeri që ishte drejtpërdrejt i sulmuar nga dhunues të institucioneve mund ta dënoj qartazi çdo dhunë ndaj institucioneve të sistemit të çfarëdo karakteri, këtë e them për ta konfirmuar miqësinë tonë ndaj Serbisë.
Comments are closed for this post.