Miqësia mes Maqedonisë dhe Greqisë, përfitimet nga marrëveshja e Prespës, proceset në Parlamentin e Maqedonisë dhe atë të Greqisë, anëtarësimi në NATO dhe Çmimi Nobel për paqë ishin temat për të cilat ka folur kryeministri Zoran Zaev në një intervistë për gazetën greke “Efimerida”, njofton Zhurnal.

Ai theksoi se Maqedonia dhe Greqia dhe qytetarët e dy vendeve mund të jenë miqë të sinqertë dhe se marrëveshja e Prespës nuk mund të ndryshohet në të ardhmen.

“Procesi është i pakthyeshëm. Nuk ekziston mundësi që dikush ta ndryshojë marrëveshjen e Prespës. Bëhet fjalë për ligj dhe gjiashtu ndryshim kushtetues. Po e ndryshojmë Kushtetutën sepse besojmë për të ardhmen, për popullin tonë dhe rajonin, dhe dëshirojmë të dërgojmë porosi Europës për një Ballkan europian. Me të vërtetë Greqia ka të drejtë të jetë lider i Ballkanit”, thotë Zaev.

Kryeministri shpreson se bashkëpunimi mes Maqedonisë dhe Greqisë do të marë dritë jeshile nga deputetët e dy vendeve, por nuk fshehë brengën sa i përket nëse do të kalojë në Kuvendin grek.

“Po, jam i brengosur, ashtu siç jam edhe për Kuvendin tonë, sepse, në fund, votojnë deputetët”, thotë mes tjerash Zaev në lidhje me proceset parlamentare në Greqi.