Gjykatës në procedurë paraprake sonte i ka caktuar paraburgim pronarit të “Durmo Turs”, si i dyshuar i parë për fatkeqësinë e autobusit në Llaskarcë.

Siç informojnë nga Gjykata penale, paraburgim i është dhënë edhe drejtuesit të firmës si i dyshuar i dytë, derisa të akuzuarit të tretë, një nga personat përgjegjës për kontroll teknik, i është shqiptuar masë e arrestit shtëpiak.

Për të akuzuarin e katërt, poashtu përgjegjës për “Durmo Turs” për kontroll teknik, janë pranuar masat e kërkuara të kujdesit nga PTHP, ndërsa për tre të tjerët, mes tyre edhe shoferin procedura në gjykatë ende vazhdon.

Prokurori publik i PTHP -Shkup Sasho Rajçev tha sot se arsyeja kryesore e aksidentit kanë qenë frenat teknikisht të parregullta të autobusit dhe shpejtësia mbi normat e lejuara.

Aksidenti ka ndodhur më 13 mars, kur autobusi i kompanisë “Durmo turs” me 51 udhëtarë doli nga rruga Tetovë-Shkup dhe ra në humnerë pasi e depërtoi rrethojën mbrojtëse në autostradë. Në këtë aksident humbën jetën 15 persona, ndërsa 39 ishin lënduar.