Në fillimin e vizitës së punës në RumAni, mëngjesin e sotëm Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani është takuar me kryeministrin e vendit, Nicolae Ciucă.

Siç thonë nga MPJ, Osmani e njoftoi bashkëbiseduesin me angazhimet aktuale dhe përpjekjet e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për vazhdimin e reformave evropiane, për përkushtimin në avancimin e raporteve ndërfqinjësore dhe bashkëpunimin rajonal.

“Pavarësisht sfidave aktuale, nuk duam të humbim asnjë ditë në afrimin e vendit drejt standardeve evropiane. Avancimi i marrëdhënieve ndërfqinjësore kuptohet se janë një ndër prioritetet më të rëndësishme të Maqedonisë së Veriut, si model që garanton vetëm stabilitet dhe prosperitet për të gjithë rajonin”, theksoi Osmani.

Kryeministri Ciucă shprehi kënaqësi për progresin dhe entuziazmin e Maqedonisë së Veriut në kontekst të Integrimeve Evropiane, duke theksuar se përparimi i vendit drejt BE-së do të kontribuojë për Ballkan te qetë, të sigurtë dhe me prosperitet, që është garancë e fuqishme për stabilitet edhe të fqinjësisë më të gjerë të Ballkanit, si dhe në përgjithësi për stabilitetin e Evropës.

Në takim u bisedua edhe për ngjarjet e brendshme politike në të dyja vendet, për çështje rajonale e globale dhe për bashkëpunime të ndryshme që do të përforcojnë bashkëpunimin bilateral mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumunisë.