Pozitivë me COVID-19 nga të testuarit në periudhën prej 6 gushtit deri më 30 shtator 2021, në Maqedoni kanë rezultuar 35.531 qytetarë. Prej tyre, 23 përqind, përkatësisht 8233 persona ishin të vaksinuar plotësisht, kumtoi Ministria e Shëndetësisë, duke përmendur se të vaksinuar konsiderohen personat me dy doza dhe të cilët kanë kaluar së paku 14 ditë të pranimit të dozës së dytë të vaksinës.

“Është i madh numri i qytetarëve të pavaksinuar të cilët janë infektuar me Covid-19. Sipas statistikës për javët e kaluara, 27.298 qytetarë, përkatësisht 77 për qind e rasteve pozitive nuk ishin të vaksinuar”, thonë nga MSH, e cila sot publikoi analizë për pothuajse dy muaj.

Në periudhën e cekur, 79 përqind e të hospitalizuarve kanë qenë të pavaksinuar, përderisa 21 përqind e të gjithë pacientëve të hospitalizuar për momentin janë plotësisht të vaksinuar.

“Vdekshmëria tek të pavaksinuarit është më e madhe, tregon analiza. Në periudhën prej 6 gushtit deri më 30 shtator 2021 në territorin e shtetit vdiqën 1162 persona me Covid-19, 987 pacientë nga të vdekurit nuk ishin të vaksinuar, ndërsa vetëm 15 përqind prej tyre kishin marrë vaksinë. Sipas analizave, të vdekurit kanë pasur disa sëmundje shoqëruese kronike. Pacientët ishin të vaksinuar me të gjitha llojet e vaksinave të cilat janë në dispozicion tek ne, si dhe pacientë të cilët janë vaksinuar jashtë vendit me vaksinat ‘Moderna’ dhe ‘Xhonson’”, informon Ministria e Shëndetësisë.

Ministria u bën thirrje qytetarëve të vaksinohen, pasi sipas tyre, vetëm kështu do të arrihet imunitet kolektiv dhe do të parandalohet përhapja e mutacioneve të virusit.