I përgjysmuar do të jetë kapaciteti i skenave në edicionin 61 të Verës së Ohrit që zyrtarisht filloi mbrëmë. Në Teatrin antik, në vend të 3000 shikuesve, në paraqitjen e Operës dhe Baletit Kombëtar dhe Filarmonisë së Maqedonisë ishin vetëm 1500 shikues.

50% do të jetë kapaciteti i publikut në ambient të hapur ndërsa 30% në ambient të mbyllur. 90% i koncerteve do të jenë brenda kishës Shën Sofja. Pandemia po vazhdon edhe më tej. Më vjen mirë që është situata pak më e lehtë se vitin e kaluar, por megjithatë vlerësoj se nuk duhet të mbushet i tërë kapaciteti – u shpreh Natasha Popoviq- drejtore e festivalit “Vera e Ohrit”.

Për momentin asnjë artist nuk e ka anuluar pjesëmarrjen. Manifestimi do të zgjasë deri më 20 gusht, do të marrin pjesë 800 artistë nga 15 shtete, mes të cilave edhe Shqipëria dhe Kosova.

Tashmë 61 vit ky manifestim u jep hapësirë krijimtarive të mijëra artistëve nga mbarë bota. Pikërisht artistët janë gardianët e vërtetë të bukurisë, e me këtë edhe dëshmitarë se shpresa për njerëzimin mbetet gjallë – tha Stevo Pendarovski- president.

Magjia është e ndërsjellë, siç është magjik edhe rajoni. Për këtë, apeloj- ejani me respekt në Ohër. Ohri nuk është park argëtues – deklaroi Irena Stefkoska- ministre e kulturës.

Një pjesë e festivalit do të ketë karakter humanitar. Mjetet që do të mblidhen nga biletat e koncertit të Ansamblit “Tanec” nga Maqedonia dhe “Lado” nga Kroacia më 28 korrik në Teatrin antik, do t’i dhurohen Ministrisë së Shëndetësisë.