Tre persona, përfshirë një gjashtëvjeçare janë konfirmuar si të vdekur pasi avionët ushtarakë rusë bombarduan një maternitet në Mariupol të Ukrainës, një ditë më parë, shkruan Alsat.

Gra shtatzëna në proces lindjeje kanë shpëtuar vetëm për shkak se në momentin e sulmit kanë qenë të strehuara në bodrum. Rusia nuk pranon të ketë sulmuar civilë. Zyrtarët rusë thonë se kanë dëshmi se spitali i bombarduar nuk ka pasur pacientë por se ishte “shndërruar në një objekt ushtarak nga radikalët ukrainas”.

“Nuk është hera e parë që dëgjojmë deklarata për krime lufte, të kryera nga forcat ruse. Në një takim të Këshillit të Sigurimit, treguam fakte për maternitete që janë të pushtuara nga grupe radikale. I kanë larguar gratë shtatzëna dhe kanë ngritur një bazë. Kështu manipulohet opinioni publik”, tha Sergei Lavrov, ministër i jashtëm i Rusisë.
Gra shtatzëna dhe familjet e tyre përjetuar tmerrin gjatë bombardimit të spitalit. Një pjesë e tyre u evakuuan duke qenë të pafuqishme të lëvizin. Raportohet për të paktën 17 të lënduar.

“Një bombë ajrore në një maternitet është prova përfundimtare se ajo që po ndodh është një gjenocid mbi ukrainasit. Evropianë! Ju nuk do të mund të thoni se nuk e keni parë atë që ndodhi me ukrainasit në Mariuopol. E keni parë. E dini. Rrjedhimisht, ju duhet të forconi sanksionet kundër Rusisë në mënyrë që ajo të mos ketë kurrë shansin për ta vazhduar këtë gjenocid”, deklaroi Volodimir Zelenski, president i Ukrainës.

Prokurorja e përgjithshme ukrainase, Iryna Venediktova, bëri thirrje për krijimin e një Gjykatë Speciale për hetime të krizës së “paprecedentë”. Sulmi i Rusisë ndaj një termocentrali bërthamor, përdorimi i dyshuar i bombave thërrmuese dhe të ashtuquajturave bomba vakum në zona të dendura me banorë si dhe shënjestrimi i spitaleve, shkollave dhe zonave civile po përshkruhen si krime lufte.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guteresh e përshkroi sulmin mbi spitalin si “një akt të tmerrshëm” ndërsa SHBA-të e akuzoi Rusinë për “përdorim barbar të forcës ushtarake për të ndjekur civilët e pafajshëm”. Bombardimi është dënuar gjerësisht.

“Le të jemi të qartë, ajo që po bën Putin nuk është një luftë e zhvilluar midis dy ushtrive, tani ai ka rrethuar një numër qytetesh ukrainase dhe ka bërë një luftë kundër civilëve ukrainas. Është fakt se ata po lëshojnë artileri dhe raketa në zonat urbane, ku e dinë se shënjestrimi është sfidues dhe përdorin sisteme armësh që nuk janë precize. Komandantët rusë duhet ta dinë se krimet e luftës nuk kryhen vetëm nga ata në krye të qeverisë ruse, por kryhen nga të gjithë që janë të përfshirë në këtë zinxhirë”, theksoi James Heappey, Ministër i forcave të armatosura i Mbretërisë së Bashkuar./Alsat.mk