Prokuroria Publike ka reaguar në lidhje me informacionin që ka qarkulluar sot se ekspertët gjermanë kanë arritur në vend për të kryer forenzikën për zjarrin tragjik në Qendrën Kovid në Tetovë.
“Në lidhje me shkrimet në mediat që u publikuan gjatë ditës së sotme, Prokuroria Publike e Maqedonisë së Veriut e informon publikun se ekipi prej ekspertësh nga Policia kriminalistike e Gjermanisë, i cili duhet të ndihmojë në verifikimin e shkaqeve të zjarrit në Qendrën Kovid të Spitalit të Tetovës, duhet të arrijë në vend ditëve në vijim“, thanë nga Prokuroria.
Në ndërkohë, kanë shtuar se ekipi i prokurorëve të Prokurorisë së Tetovës dhe Shkupit vazhdojnë intensivisht të ndërmarrin aktivitete për hetim të ngjarjes tragjike.
“Priten rezultatet nga ekspertizat dhe po merren në pyetje të gjithë personat të cilët me njohuritë e tyre mund të ndihmojnë për zbulimin e shkaqeve të zjarrit”, përfundojnë nga Prokuroria, transmeton TV21.
Në ngjarjen tragjike që ndodhi në Qendrën Kovid në Tetovë mbrëmjen e 8 shtatorit, vdiqën 14 persona dhe 12 të tjerë u lënduan.
Zjarri që kaploi këtë Qendër, shkrumboi gjithçka për pak minuta.
Comments are closed for this post.