Komisioni kuvendor për Mbrojtje dhe Siguri në seancën e sotme ka miratuar informacionin për vazhdimin e furnizimit me makina lehtë të blinduara për nevojat e Armatës, përmes amendamentit/aneksit për nënshkrimin e Marrëveshjes mes Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska në shpjegimin e saj para Komisionit theksoi se në bazë të planit afatgjatë për modernizimin e Armatës, janë paraparë 20 projekte të këtilla që pritet të realizohen deri në vitin 2028 dhe do të kushtojnë rreth 700 milion euro. Sipas ministre, ky projekt i nisur në vitin 2019 paraqet një prej projekteve për planin afatgjatë.

“E konsideruam më të arsyeshme për të bërë marrëveshjen e parë me Qeverinë e SHBA-së, e cila deri më tani është donatori dhe investitori më i madh në kapacitetin e Armatës. Ne e nënshkruam këtë marrëveshje vitin e kaluar, sipas ligjit kemi raportuar në Komision, por meqenëse marrëveshja është realizuar sipas rregullave amerikane, praktikisht, ne çdo vit do të vijmë me këtë informacion para jush dhe çdo vit do të raportojmë para Komisionit për pjesën e realizuar të prokurorimit, që mbulohet nga mjetet buxhetore”, tha mes tjerash Shekerinska.

Ajo tha se një pjesë e parave janë siguruar edhe nga programet e SHBA-së për mbështetje të modernizimeve të tilla në Armatë. Në fillim, informoi Shekerinska, fonde të tilla kapnin vlerën e 36 milion dollarëve amerikanë, kurse tani do të jenë mbi 50 milion dollarë amerikanë, të sipas saj do të mundësojnë që Armata të sigurojë furnizime me më shumë mjete, me më pak para.

“Nëse vitin e kaluar kemi siguruar 33 automjete bazë, ndërsa do të shkojmë deri në 152 të tilla, këtë vit ne financojmë pajisjet e tyre, me armatim dhe mbrojtje, me mjete stërvitore dhe elemente të ndryshme të nevojshme për funksionimin e grupit lehtë të armatosur të këmbësorisë”, shpjegoi ministrja Shekerinska.

Ndryshe, me marrëveshjen të cilën e miratoi sot Komisioni, Maqedonia e Veriut nga Shtete e Bashkuara të Amerikës do të blejë automjete të blinduara për nevojat e Armatës në vlerë prej 762 milion denarëve (15 milion dollarë).