Qyteti i Shtipi mori epitetin e vatrës më të rrezikshme të përhapjes së virusit korona në vend. Në mbledhjen e Komisionit për sëmundje infektive u vendos që nesër në Shtip të zbarkojë Inspektorati sanitar dhe shëndetësor i shtetit. Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se pas mbylljes së të gjitha fabrikave të tekstilit me 8 mijë të punësuar, rreziku qëndron se sa prej tyre janë infektuar.
“Kemi nga mbi 40 deri në 50 pacientë të hospitalizuar atje, kuadri dhe personeli mjekësor gjithsesi është për momentin i mjaftueshëm. Morëm edhe masat e rekomandimet se si të evitohet apo absorbohet kjo situatë nëse do të kemi një rritje të numrit pikërisht atje”
tha Armend Arsllani, Zëvendësministër i Shëndetësisë.
Duke llogaritur 29 rastet e sotme, në Shtip ka 438 raste aktive, ndërsa numri i përgjithshëm i të infektuarve në këtë qytet që nga nisja e pandemisë ka arritur në 790. Ministria e Brendshme tha se 16 % e të izoluarve nga i gjithë vendi janë vetën në Shtip.
“Në gjithë territorin e shtetit që nga fillimi i pandemisë ka pasur 43,816 të izoluar dhe vetë izoluar. Aktualisht në të gjithë vendin ka 6,962 pacientë, të cilët janë në izolim dhe në vetë izolim. Vetëm në rajonin e Shtipit ka 1,136 persona, të cilët kanë marrë vendime të izolimit të detyruar”, thonë nga MPB.
Komisioni për sëmundje infektive nuk ka paraparë futjen në karantinë të qytetit. Komisioni gjithashtu është shprehur edhe kundër karantinës për festën e Bajramit si dhe kundër heqjes së masave në kufij.
“Sipas situatës epidemiologjike në vend nuk paraqitet nevoja për shtimin e masave restriktive gjatë kësaj jave, por nuk do të ketë as propozim për të ndryshuar vendimin e hapjes së kufijve me fqinjët”, njoftojnë nga Komisioni për sëmundje infektive.
Nuk do të ketë as karantinë 14 ditore për shtetasit e huaj të cilët do të hynë në vend, por vazhdon të mbetet e detyrueshëm PCR testi negativ për disa shtete. /Alsat/
Comments are closed for this post.