Në mbarë botën, Viti i Ri 2021 u prit më qetë se zakonisht. Festa më e madhe e Vitit të Ri në Gjermani, që zhvillohet në Berlin, u anulua. Nga Porta e Brandenburgut pati vetëm një transmetim të drejtpërdrejtë televiziv me muzikantë të shumtë dhe e njëjta u ndriçua me fishekzjarrë dhe një shfaqje të vogël dritash. Për shkak të pandemisë në gjithë Gjermaninë pati kufizime të rrepta. Festimet dhe tubimet publike ishin të ndaluara edhe në shumë vende të tjera. Në Paris mbretëronte ndalimqarkullimi. Në vend të festimeve publike, u mbajt një koncert në internet.

Festimet publike ishin të ndaluara edhe në Itali. Festimet muzikore mund të shikoheshin vetëm në televizion apo internet. Roma ka ndaluar fishekzjarret deri me 6 janar. Në anën tjetër, në Greqi kishte fishekzjarrë të mëdha në shumë qytete për të zbavitur njerëzit, të cilëve u ishte ndaluar dalja.

Festat dhe fishekzjarrët janë anuluar edhe në shumë vende të tjera të botës, si për shembull në Amsterdam, Londër, Nju Jork, Rio de Zheneiro apo Sao Paulo.

Në Moskë u mbajt shfaqja tradicionale e fishekzjarrëve pranë Kremlinit. Por banorët e Moskës u lutën të mbeten në shtëpi dhe të festojnë me familjen e ngushtë.

Zelanda e Re nuk kishte kufizime, pasi që atje me javë të tëra nuk është regjistruar asnjë rast i ri i infektimit me virusin korona.

Fishekzjarrë spektakolare kësaj radhe nuk kishte as në Operën e Sidneit të Australisë, ata që shkelnin masat dënoheshin me 620 euro. Sidnei ishte si një qytet fantazmë, thonë dëshmitarët okularë.

Në metropolin kinez Wuhan, ku shpërtheu për herë të parë virusi korona, mijëra njerëz lëshuan balona në qiell. Nuk kishte kufizime të njerëzve pasi sëmundja është vënë nën kontroll.