Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministër për Sistem Politik dhe
Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, z.Artan Grubi e realizoi sot takimin e
parë me Ambasadoren e Republikës Federale të Gjermanisë znj. Anke
Holstein.
Ambasadorja Holstein, e uroi z.Grubi për formimin e qeverisë dhe për
postin të cilin ai do ta ushtrojë duke i dëshiruar sukses në realizimin
e synimeve.
Znj.Holstein gjatë takimit me zëvendëskryeministrin e parë z.Artan Grubi
nuk mbeti pa përmendur edhe rëndësinë e qeverisë për të menaxhuar
situata të krizave siç është kjo tani me COVID-19.
Znj. Holstein gjithashtu potencoi se Berlini zyrtar do të përkrahë
Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj evropiane dhe në zbatimin e
reformave që nevojiten në realizimin e këtij qëllimi, përfshirë edhe
çeljen e negociatave për anëtarësim.
Nga ana e tij zëvendëskryeministri i parë z.Artan Grubi falënderoi
ambasadoren gjermane për urimet e sinqerta dhe përkrahjen e vazhdueshme
të shtetit gjerman, duke nënvizuar këtu se Qeveria e re e Maqedonisë së
Veriut vazhdon të mbetet e përkushtuar në rrugën e saj drejt Bashkimit
Evropian dhe zbatimin e reformave, në veçanti në sferën e drejtësisë.
Grubi para ambasadores gjermane gjithashtu përsëriti qëndrimin se në
vend duhet të mbizotërojë harmoni politike funksionale me qëllim që të
merren vendime të drejta dhe të mira të cilat do të shfaqin një fytyrë
të re të qeverisjes. Ai gjithashtu tha se kjo garniturë e re qeveritare
do të bëj të pamundurën që njëherë e mirë të çrrënjos korrupsionin.
Z.Grubi gjatë takimit me ambasadoren gjermane premtoi se si
zëvendëskryeministër i parë dhe Ministër për Sistem Politik dhe
Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive do të punojë për raporte të mira
ndëretnike dhe kohezion shoqëror për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së
Veriut.
Bashkëbiseduesit, znj.Holstein dhe z.Grubi shkëmbyen mendime edhe për
tema tjera politike në vend dhe rajon.
Comments are closed for this post.