Pas zjarreve katastrofale që kanë kapluar pothuajse një pjesë të madhe të vendit, pasditen e sotme zjarr ka rënë edhe në ish-fabrikën e Ohis. Nga Ministria për Punë të Brendshme për TV21 e konfirmojnë informacionin se ka zjarr tek ish fabrika e Ohis, por për momentin nuk dihet se cilat janë shkaqet që kanë shkaktuar zjarrin.

Për shkak të sigurisë është ndaluar lëvizja në bulevardin “Boris Trajkovski” drejt lagjes Draçevë, kurse automjetet riorientohen drejt Lisiçes. Për TV21 nga Inspektorati Shtetëror për Mjedisin Jetësor tregojnë se është djegur bar i thatë afër deponisë me lindan, por sipas informacioneve të para nuk ka ndonjë rrezik. “Kimikate të tjera në Ohis nuk ka”, shtojnë nga Inspektorati sipas informacioneve të para nga terreni.