Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, i cili po qëndron për vizitë pune në Hungari, sot ka takuar ministrin e Mbrojtjes, Kristof Zallae Bobrovnicki.

Siç njoftoi Ministria e Transporteve, në takimin ku u diskutua për partneritetin mes dy vendeve, u theksua bashkëpunimi i shkëlqyer në fushën e mbrojtjes si pjesë e rëndësishme e arritjes së synimeve të aleancës NATO.

Qëllimi strategjik është ruajtja e paqes dhe stabilitetit në rajon, theksoi zëvendëskryeministri Nikolloski, duke shtuar se Maqedonia është partner i barabartë në aleancën e NATO-s dhe në kuadër të kapaciteteve të saj jep kontribut serioz në ruajtjen e paqes dhe sigurisë globale.

Ai po ashtu theksoi se Maqedonia me politikat e saj jep kontribut të madh në zhvillimin rajonal dhe po bëhet vend shembullor për bashkëpunim rajonal, duke demonstruar kështu kapacitetin e saj të madh për arritjen e vlerave evropiane.

Në takim u bisedua edhe për mundësitë e reja për bashkëpunim mes dy vendeve në sektorin e mbrojtjes, duke theksuar se Maqedonia ofron potencial serioz investues.

Marrëdhëniet miqësore ndërmjet Maqedonisë dhe Hungarisë janë në nivel të shkëlqyer, këtë e vërtetojnë edhe këto takime, ndërsa periudha në vazhdim do t’i kushtohet intensifikimit të bashkëpunimit që do të mundësojë forcimin e marrëdhënieve në fushat me interes të përbashkët për të dyja vendet, konfirmuan të dy bashkëbiseduesit, thuhet në komunikatë.