Ministrja e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Ekaterina Zakharieva deklaroi se “Bullgaria si anëtare e BE-së vazhdon të mbështesë perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor”.

Ajo thotë se nuk janë të sakta deklarimet se Bullgaria po hynë në skenarë të “Beogradit” dhe “të huaja”, duke bllokuar kështu hyrjen e Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në BE.

Zakharieva thotë se para tre viteve pas përfundimit të kryesimit bullgar me BE-në, vendet tjera që kanë kryesuar me BE-në e kanë pasur obligim që ta vazhdojnë si prioritet anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në BE.

“Kolegët e Austrisë, Kroacisë, Rumanisë, Portugalisë dhe Gjermanisë, dhe tani të Sllovenisë, po merren me temën, duke përfshirë edhe Çekinë. Ne nuk jemi të lumtur që thamë “jo”, por nuk mund të durojmë me atë çfarë po ndodh në Maqedoni të Veriut”, pohoi Zakharieva.

Sa i përket qëndrimeve të kancelarit austriak dhe ministrit për Punë Evropiane të Gjermanisë se zgjerimi i BE-së nuk duhet të jetë peng i kontesteve dypalëshe, Zakharieva tha se çështjet e pazgjidhura duhet të zgjidhen dhe se Bullgaria nuk do të bëjë kompromis me interesat kombëtare të saja.

Sipas saj, Qeveria bullgare nuk ka reaguar zyrtarisht për mësimin e gjuhës serbe në Maqedoni për shkak se kjo është çështje e brendshme.

“Ajo është çështje e brendshme dhe ne nuk mund të ndërhymë në vendosjen e gjuhës serbe ose hapjes së Qendrës së tyre kulturore. Ne dëshirojmë të ketë Qendër kulturore bullgare”, tha Zakharieva.

Ajo vlerëso se “Mes dy vendeve nuk ka rrugë normale, nuk ka linjë hekurudhore dhe se po krijohen pengesa  administratave për kompanitë bullgare që dëshirojnë të investojnë në RMV”.

Ministrja e MPJ-së bullgare vërtetoi se Bullgaria ka qenë aleat i Gjermanisë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe se ka pasur Ligj për mbrojtjen e kombit.

Sipas saj, i vetmi komb që paraqitet në librat e historisë në Maqedoninë e Veriut si popull fashist është kombi bullgar.

“Unë mendoj se populli bullgar nuk është popull fashist. Atëherë edhe italianët dhe shqiptarët duhet të cilësohen si fashistë për shkak se kanë qenë aleatë në atë moment historik të Gjermanisë”, tha Zakharieva./