Të premten e ardhshme do të mblidhet Këshilli Qendror i LSDM-së për të vendosur rreth emrave të mundshëm për kryeministër teknik dhe ndryshimeve të tjera të parapara me marrëveshjen për qeveri teknike. Kështu deklaroi sot kryeministri Zoran Zaev.
“Të premten e ardhshme do të kemi mbledhje të Këshillit Qendror, kërkojmë të na kuptoni sepse bëhet fjalë për marrëveshje mes pushtetit dhe opozitës për formimin e Qeverisë teknike, zgjedhjen e kryeministrit teknik që do të jetë në këtë pozicion 100 ditë, nga 3 dhjetori deri në formimin e qeverisë së re. Periudha që pason do ti zgjedhim personat dhe do t’i bëjmë publik emrat”, deklaroi Zaev.
Ndërkohë i pyetur rreth ndryshimeve në Kodin Zgjedhor dhe numrit të madh të amendamenteve, Zaev u shpreh i prerë se nuk do të tërhiqet nga ndryshimet në Kodin Zgjedhor pavarësisht numrit të madh të amendamenteve.
“Ne nuk tërhiqemi, ne jemi partnerë me të gjithë dhe kjo është një çështje që duhet ta bëjmë për vendin tonë, propozimi vjen nga partitë më të vogla por në korrelacion me programin tonë zgjedhor të vitit 2016, as që duam, as kemi të drejtë e as që duam të heqim dorë, unë jam i vetëdijshëm se me një numër kaq të madh të amendamenteve të BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së kjo është një mision i pamundur, por kjo jep mundësi edhe për dialog, për bisedime dhe për gjithçka. Besoj se në periudhën që pason se do të gjejmë mënyrë të mbështetur në forcën e argumenteve që të bindemi se çka është ajo që është më me rëndësi, më me rëndësi është ajo që është e rëndësishme për shtetin, më pas vjen ajo që është e rëndësishme për partitë e mëdha politike. Fiton demokracia, fitojnë etnitë me të vogla, partitë më të vogla”, deklaroi Zaev.
Comments are closed for this post.