Maqedonia e Veriut nuk do të negociojë për gjuhën dhe identitetin maqedonas me Bullgarinë e as nuk do të pranojë që këto çështje të jenë pjesë e kornizës negociuese që Bashkimi Evropian duhet ta përgatisë për vendin. Kjo ishte porosia që kryeministri, Zoran Zaev përcolli në Bruksel. Zaev tha se Qeveria teknike bullgare mund të jetë një mundësi për zgjidhje të kontestit dypalësh, por se edhe pala bullgare duhet të jetë e gatshme për një gjë të tillë.

Jemi të gatshëm për negociata, besojmë se na duhet edhe një përpjekje në periudhën që vjen, por duhet të dinë edhe kolegët në Bullgari dhe të gjithë në BE se identitetin tonë as nuk do ta bisedojmë e as negociojmë dhe se të gjitha përpjekjet që ai të vendoset në kornizën negociose do të refuzohen nga pala e Maqedonisë së Veriut – tha Zoran Zaev, Kryeministër.

Euro komisioneri për Zgjerim, Oliver Varhelyi tha se KE mirëpret çdo ide për zhbllokim të negociatave me vendin dhe se po angazhohet që këto negociata të fillojnë gjatë presidencës portugeze me BE-në.

BE është e përkushtuar në Ballkanin Perëndimor. Sot, pas 2 vjet e gjysmë në Këshillin e Ministrave të Jashtëm të shteteve anëtare të BE-së zhvillohet debat strategjik për Ballkanin Perëndimor dhe zhbllokimi i rrugës evropiane të Maqedonisë së Veriut është prioritet numër 1. Brukseli po bën përpjekje maksimale dhe mbështet çdo ide për zgjidhje, me qëllim zhbllokimin e këtij procesi – u shpreh Oliver Varhelyi, Komisioner i BE-së për Zgjerim.

Ndërkaq Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha se angazhohet që Shkupi e Tirana ti fillojnë negociatat në paketë.

KE-ja do të thellojë edhe më shumë angazhimin dhe përkushtimin thelbësor, sepse ky është proces shumë i rëndësishëm që nuk guxon ta shtyjë fillimin e negociatave për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut. Angazhohem që dy shtetet, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria bashkërisht t’i fillojnë negociatat, pa shtyrje të mëtejshme – theksoi Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Evropian.

Zaev bashkë me zv/kryeministrin Dimitrov e ministrin, Osmani pos në Bruksel do të kenë takime edhe në Madrid e Athinë.