Kryeministri i sapozgjedhur i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka folur pas zgjedhjes si kryeministër, duke thënë se do të veprojë në të mirë të vendit, me përgjegjësi dhe zell, për ta drejtuar shtetin drejt NATO-s dhe BE-së, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Do të punojmë që të arsyetojmë besimin e deputetëve dhe qytetarëve. Do të bëjmë përpjekje që të zbusim dëmet ekonomike të shkaktuara nga koronavirusi. Do të ndërtojmë institucione që do të punojnë për të na mbrojtur nga armiku i padukshëm, koronavirusit. Nga fillimi i mandatit do të sigurojmë mekanizma për një administratë efektive”, tha Zaev duke shtuar se tani është koha për drejtësi dhe disiplinë.

“Ligjet janë miratuar, tani është koha për zbatimin e tyre. Procesi i integrimit vazhdon edhe më fuqishëm, qeveria është e përgatitur për hapjen e kapitujve me Bashkimin Evropian”, u shpreh kryeministri Zoran Zaev.