Derisa kryeministri dhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev ka bërë të ditur se zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen në tetor të vitit të ardhshëm, dy muaj para atyre të rregullta, kreu i VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski thotë që ato duhet të mbahen sa më shpejt.

“Qëndrimi i partisë sonë është i qartë, se menjëherë pas vendimit të Këshillit Evropian se a do të ketë date ose jo për Maqedoninë për fillimin e bisedimeve… pas kësaj duhet të organizohen zgjedhjet parlamentare, si dhe organizimi i një qeverie teknike”, theksoi për Tv24, Hristijan Mickoski, i cili ditë më parë si periudhë të mundshme përmendi marsin e 2020.

Sipas tij, fitorja e tyre do të jetë me një diferencë prej 100 mijë votash në përballjen me LSDM-në. Por kryeministri Zaev nuk heq dorë nga afati i paralajmëruar gjatë disa daljeve të tij publike. “Zgjedhjet e parakohshme parlamentare pritet të mbahen në fund të tetorit të vitit 2020, pra 45 ditë para zgjedhjeve të rregullta”, theksoi kryeministri Zoran Zaev gjatë vizitës së sotme në fabrikën “Markart” në Veles.

Ai nënvizoi se qëllimi i qeverisë, çdo ditë, javë dhe muaj, është të tregojë se çfarë domethënie kanë në ekonomi dhe rritjen e vendeve të punës ndikimi i BE-së dhe NATO-s.