Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, sot ka biseduar përmes telefonit me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, me të cilin ka diskutuar për vendimin e BE-së për të shtyrë fillimin e negociatave me Shkupin dhe Tiranën.

Siç thonë nga qeveria, Zaev i ka përcjellë Stoltenbergut zhgënjimin e qytetarëve të vendit për vendimin e BE-së për të shtyrë vendimin për nisjen e negociatave.

“Kjo nuk duhet dhe nuk do të ndikojë në realizimin e qëllimit të dytë më të madh strategjik – anëtarësimi në BE, dhe në zbatimin e reformave deri në fund, në mënyrë që t’i zbatojmë vlerat evropiane në institucionet tona”, ka thënë Zaev, në bashkëbisedimin me Stoltenberg.

Ai e ka informuar sekretarin e përgjithshëm të NATO-s edhe për rezultatin e takimit të liderëve tek presidenti Stevo Pendarovski.

Ndërsa Stoltenberg i ka thënë Zaevit se pret që Maqedonia e Veriut të bëhet anëtare me të drejta të plota në NATO.