Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi në kuadër të vizitës zyrtare në Republikën Popullore të Kinës, sot në Shangai realizoi takim me Dong Junhu, kryetar i Komitetit të Shangait të Këshillit konsultativ politik të popullit kinez.

Në delegacionin e Kuvendit janë  janë nënkryetari Goran Misovski, koordinatorët e grupit të deputetëve: koordinatori i LSDM-së Jovan Mitreski, i BDI-së  Ejup Alimi, i VMRO-DPMNE-së  Nikolla Micevski, kryetarja e Grupit parlamentar për bashkëpunim me Republikën popullore të Kinës, Vlladanka Aviroviq dhe Sekretarja e përgjithshme e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut,  Cvetanka Ivanova.

Funksionet kryesore të Këshillit përfshijnë konsultime për politikat dhe principet fundamentale në nivel nacional dhe lokal për çështjet më të rëndësishme të jetës politike, ekonomike, kulturore dhe sociale, në procesin e miratimit të ligjeve dhe ndjekjes së implementimit të tyre.

Nga Kabineti i Xhaferit njoftojnë se në takim   Dong theksoi se, megjithëse janë larg gjeografikisht, të dyja shtetet kultivojnë marrëdhënie të shkëlqyeshme bilaterale dhe realizojnë bashkëpunim në sfera të ndryshme.Ai më hollësisht i njoftoi mysafirët me zhvillimin e Shangait dhe me rolin e tij të liderit në vend për reformat dhe novacionet dhe shprehu gatishmëri për ndarjen e të gjitha përvojave dhe praktikave të mira. Në lidhje me mbajtjen e EKSPO për eksport dhe import e cila duhet të mbahet në Shangai deri në fund të vitit, Dong theksoi se dëshiron që edhe Republika e Maqedonisë së Veriut të marrë pjesë dhe t’i prezantojë prodhimet dhe shërbimet e saj në panairin botëror.

Kryetari Xhaferi u shpreh i kënaqur që marrëdhëniet ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës Popullore të Kinës zhvillohen në frymën e miqësisë, mirëkuptimit të ndërsjellë dhe respektimit reciprok, ndërsa faktin që vizitën zyrtare në RP të Kinës e fillon në Shangai, e vlerësoi si inkurajim evident për ta thelluar bashkëpunimin ekonomik ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës Popullore të Kinës. Ai theksoi se, parlamentet, qeveritë dhe institucionet tjera duhet vazhdimisht të përpiqen për të krijuar një kornizë të gjerë të marrëveshjeve bilaterale që krijojnë kushte të volitshme për bashkëpunim në shumë sfera. Duke i njoftuar nikoqirët me ngjarjet aktuale në skenën politike vendore si dhe me përcaktimet e jashtme strategjike politike, Kryetari shpreson se deri në fund të vitit, Republika e Maqedonisë së Veriut do të bëhet vendi anëtar i 30-të i NATO-s dhe se deri në fund të muajit do të marrë datë për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian.

Të dy bashkëbiseduesit u shprehën të bindur se marrëdhëniet e mira politike do të jenë bazë e mirë për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike, si në nivelin bilateral, ashtu edhe në kornizat e Procesit të Bashkëpunimit 17+1 të RP të Kinës dhe vendeve të Evropës Lindore dhe Qendrore.

Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut pati mundësinë ta vizitojë edhe Qendrën e Planifikimit Urban në Qytetin e Shangait, i cili numëron popullsi prej 24 milionë banorë dhe shtrihet në sipërfaqe prej 660 kilometra katrorë, ndërsa zhvillimin më të madh e përjetoi në 20 vitet e fundit. U prezantua edhe funksionimi i qendrave lokale dhe mënyra në të cilën zgjidhen problemet urbane, i cili si model zbatohet edhe në qytetet tjera në RP të Kinës.