Ngjarja makabre e vrasjes së 8-vjeçarit, Mateo Vaslliu, ka tronditur banorët e fshatit Grecalli në Fier. Familjarët e viktimës dhe banorët e fshatit në periferi të Fierit kërkojnë drejtësi dhe dënim ekstrem të autorit të dyshuar.
Ngjarja ka tronditur dhe nxënësit e mësuesit e shkollës së 8-vjeçarit, ku mësimi nuk mund të vijonte normalisht. “Na ka prekur të gjithëve, një engjëll i vogël që u nda nga jeta. Na mirëkuptoni se jemi shumë të ngarkuar”, tha drejtoresha e shkollës. Shokët e klasës e gjetën bosh bankën e 8-vjeçarit të ndjerë, ndërsa në shenjë respekti e mbushën atë me lule e piktura.
8-vjeçari Mateo Vaslliu u gjet i pajetë në banesën e fqinjit të tij, 38-vjeçarit Klodian Çalamani. I mituri mungonte prej disa orësh dhe pas denoncimit të familjes në Polici, u gjet në oborrin e shtëpisë së Çalamanit. Autori i dyshuar ishte arrestuar edhe para 9 vitesh për rrëmbimin e një vajze 16-vjeçare.
Për ngjarjen e rëndë pati reagime të shumta edhe nga politika. Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama tha se autori meriton dënimin më të ashpër. Sipas tij, rikthimi i dënimit me vdekje nuk është zgjidhje, por po shihet mundësia e ashpërsimit të mëtejshëm të legjislacionit penal.
Ndërsa Presidenti Meta tha se vrasja e 8-vjeçarit, Mateo Vllasiu, të martën në mbrëmje, është një tregues i mosfunksionimit të sistemit dhe sipas tij, përveç autorit ka edhe persona të tjerë përgjegjës.
Comments are closed for this post.