Pasi doli në pah memorandumi i Bullgarisë me të cilin tenton ta bllokojë integrimin e vendit në BE, VMRO DPMNE-ja kërkon që Kuvendi unanimisht të miratojë një rezolutë për mos negociim në asnjë rast çështjen e identitetit dhe gjuhës maqedonase. Antonio Milloshoski paralajmëron debat në komisionin parlamentar që drejton, duke theksuar se kontestimi i identitetit dhe gjuhës së një populli është vlerë anti-evropiane dhe se motoja e BE-së, “Të bashkuar në dallime” duhet të vlejë edhe në rastin e Maqedonisë së Veriut.
Do të ishte mirë që Kuvendi si kundër-përgjigje ndaj Kuvendit Kombëtar bullgar të miratojë një deklaratë të përbashkët, në të cilën identiteti i popullit maqedonas, mëvetësia e gjuhës maqedonase dhe të gjitha ngjarjet tjera kulturore dhe kombëtare do të konfirmoheshin bashkërisht dhe me këtë edhe të afirmohen si pjesë e vlerave evropiane të identitetit kulturor dhe kombëtar të kontinentit – deklaroi Antonio Milloshoski, VMRO DPMNE.
Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani është decid se Bullgaria nuk mund ta bllokojë konferencën ndërqeveritare në dhjetor, pasi e njëjta është e pjesë e vendimit të marsit të BE-së për fillim të negociatave me vendin. Pas takimit me Ministrinë alternativ të punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, Osmani tha se ka marrë garanci nga BE-ja se korniza negociuese nuk do të jetë platformë, ku do të bilateralizohen marrëdhëniet midis vendeve.
Sa i përket Goce Dellçevit, në mëngjes e lexova një koment në një shkrim të gjatë, ku thuhet se mënyra më e mirë që të respektohet Goce Dellçevi është të ndërtohet autostrada Shkup-Sofje dhe të emërohet “Goce Dellçev”. Kjo do të ishte mënyra më e mirë se si dy vendet do ta respektonim këtë figurë historike. Megjithatë vazhdoj të mendoj se politikanët mund vetëm ta pengojnë përpjekjen e historianëve dhe shkencëtarëve për t’i tejkaluar këto çështje -tha Bujar Osmani, Ministër i Jashtëm.
Ndryshe, përmes memorandumit dërguar shteteve të BE-së, Bullgaria thekson se me Maqedoninë e Veriut ende nuk kanë zgjidhur kontestin rreth gjuhës, historisë së përbashkët dhe pakicave. Rrjedhimisht iu kërkon shteteve anëtare të mos lejojnë importimin e këtij konflikti brenda BE-së, pasi do të ndikonte negativisht në vendimmarrjen e Unionit.
Comments are closed for this post.