Zgjedhjet kaluan në atmosferë të drejtë dhe demokratike. Qytetarët sërish morën pjesë në proces zgjedhor në të cilin lirisht mundën ta shprehin vullnetin e tyre. Administrata zgjedhore e zbatoi në mënyrë efikase votimin nën protokolle të posaçme shëndetësore për shkak të pandemisë me KOVID-19 me çka qytetarët mundën lirisht ta realizojnë të drejtën e tyre të votës. Ky është vlerësimi preliminar i asociacionit qytetar MOST për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Kryetari i MOST-it, Darko Aleksov, në konferencën e sotme për shtyp kumtoi se gjatë ditës zgjedhore janë vërejtur disa raste të izoluara të parregullsive, të cilat, siç tha, nuk ndikuan në cilësinë e procesit zgjedhor.

“Fushata zgjedhore në përgjithësi kaloi në atmosferë relaksuese dhe kësaj radhe nuk u vërejtën incidente të cilat ndikuan në atmosferën në të cilën u mbajt, që e vazhdon trendin e përmirësimit në disa ciklet e fundit zgjedhore. Përjashtim paraqesin rastet e fushatës së zezë dhe negative, si dhe shfrytëzimi i retorikës nacionale”, tha Aleksov.

Përkujtoi se për shkak të pandemisë së KOVID-19, mënyra në të cilën zhvillohej fushata ishte ndryshuar, përkatësisht me tubime më të vogla, takime të drejtpërdrejta me qytetarë he fushatë të ashtuquajtur nga dera në derë.

Informoi se KSHPK ka vepruar rreth gjashtë ankesave, parashtruar nga VMRO-DPMNE dhe tre ankesa nga parashtrues i panjohur lidhur me keqpërdorimin potencial të resurseve shtetërore. Janë pranuar dy ankesa nga VMRO-DPMNE. Ai theksoi se Komisioni e vazhdon praktikën pozitive nga zgjedhjet e kaluara lidhur me veprimin rreth shkeljeve të mundshme, ndërsa kësaj radhe, siç tha, të gjitha vendimet u sollën në pajtim me Kodin zgjedhor.

MOST-i i inkurajon institucionet kompetente të vazhdojnë në mënyrë më efikase t’i mënjanojnë problemet afatgjate sistematike në udhëheqjen dhe azhurnimin e Listës zgjedhore, posaçërisht lidhur me standardizimin e të dhënave për adresat dhe koordinimin mes institucioneve kompetente.

“KSHZ punoi në atmosferë efikase dhe kolegiale. Pozitivisht u vlerësua transparenca e punës së tij, duke pasur parasysh se mbledhjet ishin publike dhe u transmetuan në internet. Megjithatë, KSHZ duhet të vazhdojë t’i përforcojë kapacitetet teknike në këtë drejtim, me çka të gjithë qytetarëve të interesuar do t’u mundësojë t’i ndjekin mbledhjet pa kurfarë pengesa”, tha Aleksov.

Theksoi edhe se KSHZ veproi rreth 42 ankesave për fillim të parakohshëm të fushatës zgjedhore, me ç’rast i refuzoi të gjitha, me arsyetimin se nuk ka mjaft dëshmi për të vepruar. KSHZ sërish zbatoi fushatë në terren për edukim të qytetarëve, me ç’rast pozitivisht vlerësohet ajo që ishte e fokusuar në atë t’u sqarojë votuesve se votimi është i sigurt. KSHZ këtë fushatë intensivisht e zhvilloi edhe në rrjetet sociale. Për sulmin hakerik ndaj ueb-faqes së KSHZ-së për rezultatet nga zgjedhjet, ai konsideron se tajmingu në të cilin u bë ky sulm, jep indikacione për dyshim se u punua për tentim të planifikuar paraprakisht për mosbesim në procesin zgjedhor.

“Kodi zgjedhor u ndryshua në ditën para shpalljes së zgjedhjeve, 15 shkurt 2020, që është në kundërshtim me standardet dhe praktikat ndërkombëtare. Duke pasur parasysh se ndryshimet ishin thelbësore, ndërkaq tashmë u bë e zakonshme që Kodi zgjedhor të ndryshohet mu para zgjedhjeve, kjo praktikë duhet të ndërpritet. MOST-i bën thirrje që pas përfundimit të zgjedhjeve, të vazhdojë procesi gjithpërfshirës dhe inkluziv i reformave zgjedhore që ishte zbatuar në vitin 2019 nga Ministria e Drejtësisë, dhe në të cilin do të implementohen edhe rekomandimet e tjera të vëzhguesve vendorë dhe ndërkombëtarë”, tha Aleksov.