Sigurimi i prodhimtarisë bujqësore në vend, edhe pse shënon një rritje të butë në raport me vitet e kaluara, megjithatë akoma shënon ngecje të madhe në raport me mesataren evropiane. Bile, në një pjesë të madhe të shteteve të BE-së, sigurimi bujqësor është kusht i domosdoshëm për fitimin e subvencioneve, ndërsa ekzistojnë edhe më shumë masa që kanë të bëjnë me instrumentet e ndryshme të kontrollit të rrezikut siç janë fondet e vendosura për kompensimin e dëmeve, shkruan gazeta KOHA.
Mesatarja e ulët e mbrojtjes së prodhimtarisë bujqësore nuk është prezente vetëm në Maqedoninë e Veriut , por edhe në shtetet e rajonit me bujqësi më të zhvilluar se ne si Serbia, ku sigurohen 10 deri 12 për qind e bujqësisë, ndërsa prodhimtarinë bujqësore në Kroaci e sigurojnë vetëm 5 për qind të bujqve. Tek ne, sipas të dhënave të Agjencisë për Supervizionin e Sigurimit, nëse në vitin 2017 kanë aplikuar 1500 bujq për sigurim bujqësor, në vitin 2018 kanë aplikuar 3000 bujq. Apo thënë ndrysh – në totalin e sigurimeve në shtet, ky lloj sigurimi merr pjesë me vetëm 2 për qind.
Nga ana tjetër, bujqit ankohen për mënyrën e vlerësimit të dëmeve që kryejnë kompanitë e sigurimeve dhe nuk besojnë se me të vërtetë do të kenë dobi nga sigurimi i të mbjellave bujqësore.
“Bujqësia sa vjen e më shumë ndikohet nga ndryshimet klimatike, andaj edhe kemi rritje të këtij lloji sigurimi, megjithatë mbi 95 për qind e tyre nuk janë të kënaqur për vlerësimet që kryhen nga ana e kompanive të sigurimeve”, thotë përfaqësuesi i kultivuesve të pemëve, Mende Ivanovski.
Kohë më parë, zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Koço Angjushev, deklaroi se nevojitet një punë e përbashkët e të gjithë faktorëve që të rritet sigurimi bujqësor në shtet.
“Nevojitet të rritet vetëdija për përfitimet e sigurimit tek biznesi, por edhe të punohet në profesionalizmin e kompanive të sigurimit, për shkak se kemi një numër të madh të ankesave se kompanitë e sigurimit gjejnë mënyra të mos paguajnë dëmet. Vetëm puna profesionale e Agjencisë për Supervizionin e Sigurimit, rregullat e vendosura të lojës, si dhe kriteret e qarta çka dhe si duhet të paguhet, marrëveshjet pa shkronja të imëta të kompanive të sigurimit… janë garanci se bujqit do të fitojnë mbrojtjen që e kanë paguar me pagesën e premisë së sigurimit”, thekson Angjushev.
Nga ana tjetër, duke i falënderuar subvencionet shtetërore – një nivel shumë të lartë prej 70 për qind të sigurimit të ekonomive bujqësore kanë Spanja dhe Gjermania. Në ndërkohë, nga Ministria e Bujqësisë thonë se po shqyrtohet modeli i ri i sigurimit në bujqësi për shkak të numrit të ulët të kontratave për sigurimin e të mbjellave. Do të punohet edhe në rritjen e vetëdijes për nevojat dhe përfitimet nga sigurimi tek bujqit.
Ekspertët e bujqësisë thonë se fermerët nevojitet të adaptohen edhe ndaj ndryshimeve klimatike që kanë filluar të kenë ndikim të madh ndaj bujqësisë dhe prodhimtarisë së ushqimit në botë dhe rajon. Një trend i tillë vetëm se do të rritet në të ardhmen. Në këtë drejtim, rekomandohet edhe ndërrimi i kulturave dhe mënyrave të kultivimit të kulturave, përzgjedhja e kulturave të cilat janë të rezistueshme ndaj insekteve të dëmshme, trajnim i bujqve për ruajtjen e ujërave nga të reshurat në regjionet të prira ndaj përmbytjeve me kompensim adekuat, zvogëlimi i kullotjes tej mase të kullotave për shkak të mbrojtjes nga erozionet dhe përmbytjet, zmadhim i sipërfaqeve nën pyje dhe gjelbërim në rajonet bujqësore apo kapaciteteve për pranimin e të reshurave.
Preferohet edhe përdorim i llojeve dhe farave më produktive, kultivim i kulturave që rriten shpejtë që të shumëfishojnë rendimentet, kultivimi i kulturave që janë të rezistueshme ndaj ngricës dhe thatësirës etj./Koha/
Comments are closed for this post.