Rastet me COVID-19 po rriten në shumë pjesë të Kanadasë, por një rajon – Nunavut, një territor verior – është një vend i rrallë në Amerikën e Veriut që mund të thotë se është pa coronavirus në komunitetet e tij.

Sipas BBC, përcjell Telegrafi, marsin e kaluar, ndërsa kufijtë nëpër botë po mbylleshin si pasojë e rritjes së rasteve me coronavirus, zyrtarët në Nunavut vendosën që edhe ata të mos rrezikonin.

Ata sollën disa nga rregullat më të rrepta të udhëtimit në Kanada, duke ndaluar hyrjen në pothuajse për të gjithë jorezidentët.

Banorët që kthehen në shtëpi nga jugu së pari do të duhet të kalojnë dy javë – në kurriz të qeverisë së Nunavut – në “qendra izolimi” – hotele në qytetet Winnipeg, Yellowknife, Ottawa ose Edmonton.

Rojet e sigurisë ishin vendosur në të gjithë hotelet, dhe infermierët kontrollonin shëndetin e të izoluarve.

Deri më tani, pak më shumë se 7,000 persona kanë kaluar kohë në këto qendra si një ndalesë në kthimin e tyre në shtëpi.

Por kjo nuk ka qenë pa sfida

Njerëzit janë kapur duke thyer izolimin dhe u është zgjatur qëndrimi, i cili pjesërisht ka kontribuar në kohë të herëpashershme të pritjes për të hyrë në disa nga qendrat.

Gjithashtu ka pasur ankesa në lidhje me ushqimin në dispozicion të atyre që janë të kufizuar atje.

Por, ndërsa infeksionet e coronavirusit u përhapën në të gjithë Kanadanë, dhe me numrin e rasteve në rritje përsëri, numërimi zyrtar i rasteve në Nunavut mbetet zero.

“Vendimi ‘mjaft drastik’ për të sjellë këto masa u mor si për shkak të cenueshmërisë së mundshme të popullsisë ndaj COVID-19 dhe sfidave unike të rajonit të Arktikut”, thotë zyrtari kryesor i shëndetit publik i Nunavut, Dr Michael Patterson.

Rreth 36,000 njerëz jetojnë në Nunavut, të lidhur nga Oqeani Arktik në veri dhe Territoret Veriperëndimore në perëndim, në 25 komunitete të shpërndara në dy milionë kilometra katrorë. Kjo është rreth tre herë më e madhe se Teksasi.